Foto: REL/Reuters
Erdogan kërkon armëpushim në Gaza për t’i ndalur "krimet kundër njerëzimit"
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdoğan, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm midis Izraelit dhe Hamasit, duke thënë se “krime kundër njerëzimit” po kryhen në Gaza.
Erdogan i ka mbështetur fuqishëm palestinezët përballë luftës së Izraelit me Hamasin, duke marrë pjesë në mitingje pro-palestineze dhe duke u pozicionuar si ndërmjetës që nga fillimi i luftës më 7 tetor.
“Nuk ka asnjë koncept që mund ta shpjegojë apo justifikojë brutalitetin që kemi dëshmuar që nga 7 tetori” – deklaroi Erdogan gjatë një samiti të shteteve turke në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.
“Për ta thënë troç: krime kundër njerëzimit janë kryer në Gaza për saktësisht 28 ditë” – ka thënë Erdogan.
“Prioriteti ynë është të vendosim shpejt një armëpushim humanitar”, shtoi Erdogan, duke shtuar se Turqia po punon për “mekanizma të rinj që do ta garantojnë sigurinë e të gjithëve, pavarësisht nëse janë myslimanë, të krishterë apo hebrenj.
“Përpjekjet tona për t’i hedhur bazat për një konferencë ndërkombëtare të paqes vazhdojnë” – ka deklaruar Erdoganai, duke mos dhënë detaje tjera./The Guardian