Kryeministri hungarez, Viktor Orban, dhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance. Foto: Facebooku i Vancet
Zëvendëspresidenti amerikan viziton Hungarinë në prag të zgjedhjeve
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, do të vizitojë Hungarinë të martën dhe të mërkurën, gjatë javës së fundit të fushatës para zgjedhjeve të përgjithshme hungareze, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, raporton Euronews.
Vance do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Viktor Orban dhe do të flasë për “partneritetin e pasur ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Hungarisë”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Vizita do të zhvillohet në kohën kur Hungaria përgatitet për zgjedhje të rëndësishme më 12 prill, në të cilat pushteti 16-vjeçar i Orban përballet me sfidën e saj më të madhe. Partia opozitare, Tisza, e prirë nga Peter Magyar, kryeson kundrejt Fideszit të Orbanit në sondazhet e opinionit.
Administrata Trump ka qenë mbështetëse e zëshme e agjendës konservatore dhe anti-imigracion të Orban.it Në shkurt, presidenti Donald Trump mbështeti publikisht kryeministrin hungarez para zgjedhjeve.
“Me krenari e mbështeta Viktorin në zgjedhjet e vitit 2022 dhe është një nder ta bëj këtë përsëri”, kishte shkruar Trump në shkurt.
Presidenti Trump ka histori të mbështetjes aktive të aleatëve të tij politikë konservatorë të krahut të djathtë. Ai mbështeti japonezen Sanae Takaichi dhe argjentinasin Javier Milei në fushatat e tyre. Të dy dolën fitues në zgjedhje.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com