Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, Foto: REL

Zelensky: Nevojiten më shumë ushtarë dhe pajisje për ta ndalur ofensivën ruse

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina duhet ta përgatitë një numër të madh ushtarësh, përfshirë rezervistë, për ta ndalur ofensivën më të fundit të Rusisë në luftën tashmë mbi dyvjeçare.

Gjendja në vijën e frontit është e “vështirë, por e qëndrueshme” tani për tani, tha Zelensky në një intervistë që u transmetua më 6 prill në televizionin ukrainas.

Por, Ukraina duhet ta përgatitë një numër të madh të pjesëtarëve për t’i zmbrapsur sulmet ruse, theksoi ai.

Duhet të përgatiten brigada për t’i zëvendësuar ata që janë duke luftuar tani, nënvizoi ai, duke shtuar se kjo nënkupton se një numër i madh i rezervistëve duhet të jenë të gatshëm.

“Rezervat nuk përbëhen vetëm nga gra dhe burra të rinj, por nga njerëz me përvojë të cilët kanë kryer stërvitje ushtarake dhe kanë përvojë në luftime”, tha Zelensky.

Luftimet janë duke u zhvilluar kryesisht në lindje të Ukrainës në zona të ndryshme, jo vetëm në qytetin e Avdivkës në rajonin e Donjeckut, nga i cili forcat ukrainase u tërhoqën dy muaj më parë, tregoi ai.

Dhe, kudo që forcat ruse çajnë përpara, ato zmbrapsën, derisa ushtria ukrainase shënon përparim gjithashtu dhe “bën hapa përpara”, sipas tij.

Sipas vlerësimeve nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës më 6 prill, 80 luftime u zhvilluan në vijën e frontit më 5 prill, dhe trupat ukrainase i zmbrapsën sulmet ruse në gjashtë zona.

Intervista e Zelenskyt u transmetua pak orë pasi Rusia e sulmoi Harkivin me dronë, duke i vrarë së paku shtatë njerëz dhe duke i plagosur 10 të tjerë, thanë zyrtarët. Qyteti i dytë më i madh i Ukrainës është përballur me sulme shumë të shpeshta në javët e fundit.

Analistët në Institutin Amerikan për Studimin e Luftës sugjeruan më 4 prill se forcat ruse me gjasë janë duke e rritur ritmin e përgjithshëm të operacioneve të ofensivës.

Ndërkohë, Zelensky e përsëriti lutjen e Ukrainës për sistemet kundërajrore Patriot, duke paralajmëruar se Kievi mund të ngelë pa raketa me të cilat i mbron qytetet, qytezat dhe rrjetin energjetik nga sulmet ajrore ruse.

“Nëse ata vazhdojnë ta godasin [Ukrainën] çdo ditë siç janë duke e bërë në muajin e fundit, ne mund të ngelim pa raketa, dhe partnerët tanë e dinë këtë”, shtoi ai.

Ukraina ka rezerva të mjaftueshme për t’ia dalë tani për tani, por po i duhet tashmë të marrë vendime të vështira se ku t’i përdorë ato dhe çfarë të mbrojë me to, sipas Zelenskyt.

Sistemi i sofistikuar kundërajror amerikan është përdorur për t’u mbrojtur nga sulmet ruse me raketa balistike dhe hipersonike./REL