Shtatorja e Adem Jasharit në Mitrovicë. Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Zbulohet shtatorja e komandantit Adem Jashari në Mitrovicë të Jugut

Shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari tashmë ka zënë vend edhe në sheshin e Mitrovicës së Jugut.

Në prezencën e familjes Jashari, u zbulua kjo shtatore.

Vëllai i komandantit, Rifat Jashari nga Mitrovica uroi qytetarët për 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Sot jemi mbledhur këtu, e kemi festën e 16-të të shtetit të Kosovës. Urime dhe shtatorja të gjithëve” – u shpreh Jashari.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza tha se në zemër të qytetit të Mitrovicës po zbulohet shtatorja e komandantit Adem Jashari.

“Me 05, 06, 07.03.1998 shumë anëtarë të familjes shënuar qëndresën më të lavdishme e njohur me Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” – tha Hamza.

Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.