Vushtrri, qytetari dorëzon në polici kuletën me para, policia kërkon pronarin

Në stacionin policor në Vushtrri të enjten një qytetar ka dorëzuar një kuletë që e kishte gjetur në sheshin “Hasan Prishtina” në Vushtrri.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se në kuletë ka pasur para por, jo ndonjë dokument.

“Më datë 27.04.2023, rreth orës 18:00 në Stacionin Policor Vushtrri është paraqitur një qytetar i cili ka njoftuar policinë se kishte gjetur një kuletë (çantë e vogël) në sheshin ,,Hasan Prishtina” në Vushtrri. Në prezencën e qytetarit, policia ka hapur kuletën dhe ka konstatuar se në atë kuletë kishte një sasi e të hollave mirëpo nuk kishte asnjë dokumentacion të asnjë personi”- thuhet në njoftim.

Policia ka bërë thirrje që pronari i kuletës të lajmërohet në stacion apo të thërras në 192.

“Me gjithë përpjekjen e policisë për identifikimin e pronarit të kuletës në lokacionin ku ishte gjetur ajo, deri në këto momente nuk është arritur një gjë e tillë andaj policia lëshon këtë informacion që pronari i cili ka humbur kuletën të lajmërohet në Stacionin Policor Vushtrri apo të kontaktoj Policinë në numrin 192”- thuhet tutje në njoftimin e policisë.