Vrasja e Marigona Osmanit, Gjykata sot jep vendimin ndaj Krivaçës dhe Sejdiut
Ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut pritet të shpallet sot vendimi i gjykatës lidhur me akuzat për vrasjen mizore dhe dhunimin e Marigona Osmanit.
Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu akuzohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.
Ndërkaq, Krivaça akuzohet për dhunimin e të ndjerës, kurse Sejdiu për ndihmën në kryerjen e dhunimit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Krivaça dhe Sejdiu godasin të ndjerën me një shkop në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i shkaktojnë dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike duke shkaktuar vdekjen e viktimës.
Gjykimi për këtë rast ka filluar në korrik të vitit 2022, kurse seanca e fundit u mbajt të martën më datë 2 gusht.
Drejtësisë iu deshën gati dy vite nga vrasja e Marigona Osmanit që rastit të i jap epilog në shkallë të parë.
Më 22 gusht 2021 ishte njoftuar se një 18-vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt.
Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares.
Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.
“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.
Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19 gusht 2021.
“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin”, shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK