Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Votohet rezoluta e AAK-së për debat në lidhje me pagat në sektorin publik

Me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar rezolutën e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), lidhur me veprimet e Qeverisë sa i përket projektligjit të pagave në sektorin publik.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri para votimit të kësaj rezolute, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla që të mos eksperimentohet me koeficientet e Ligjit të Pagave.

Ai ka kërkuar nga deputetët të votojnë këtë rezolutë.

“Kërkoj nga deputetët ta votojnë këtë rezolutë dhe kërkoj nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla që të mos eksperimentohet me koeficientet e Ligjit të Pagave. Në qoftë se koeficienti ka për qëllim të zvogëlohet dhe nuk vjen në mars në Kuvend, atëherë rritje të pagave në sektorin publik nuk do të ketë.

Ndërsa, kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se Ligji i Pagave vjen në Kuvend në muajin mars.

“Në agjendën legjislative Ligji i pagave parashihet të vij në Kuvend në muajin mars, muajin e ardhshëm”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se do të bëjnë të pamundurën që të miratohet ky ligj kur të vij në Kuvend.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum që të votojë rezulutën pas debatit parlamentar për Projektligjin e pagave, përmes së cilës kërkohej që Qeveria e Kosovës të sjellë këtë Projektligj në legjislativ.

Më 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shfuqizuar Ligjin për Pagat.

Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat e rritura sipas Ligjit që ishte miratuar më 2019.