Von der Leyen dhe Scholz nuk tregojnë nëse do të sanksionohet Serbia për sulmin në Banjskë

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, nuk kanë treguar nëse do t’i vendosen sanksione Serbisë në lidhje me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Von der Leyen në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kancelarin Olaf Scholz, tha se po presin hetimet.

“Në këtë moment ne jemi në proces të mbledhjes së fakteve që duhet mbledhur për sulmin. Dhe ne presim për rezultatin e hetimit dhe në bazë të saj ne do të vendosim për hapat e mëtutjeshëm, natyrisht në koordinim me vendet anëtare” – tha ajo.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, kërkoi që Serbia të bashkëpunojë me Kosovën për ta sjellë drejtësinë për sulmin e Banjskës.

“Nuk kam shumë çfarë të shtoj pas asaj që tha Ursula, vetëm shkurt ne me të vërtetë e dënojmë sulmin ndaj Policisë dhe të gjitha aktivitetet që i pamë në Kosovë duke sulmuar institucionet, njerëzit. Kjo është diçka që ne nuk e pranojmë, është më se e qartë se BE dhe vendet anëtare janë shumë të qarta në këtë pikë”- tha ai.

“Ne po ashtu kërkojmë hetime intensive dhe kërkojmë nga të gjithë që të marrin pjesë në hetim dhe ta mbështesin hetimin e bërë nga autoritete kosovare, sepse mendoj që është thelbësore. Po ashtu autoritetet duhet të bashkëpunojnë në këtë drejtim me Kosovën, gjë e cila është shumë e mirë nëse ndodh”- shtoi ai.

Këto komente Ursula von der Leyen dhe Olaf Scholz i bënë pas samitit të Procesit të Berlinit, i cili u mbajt sot në Tiranë.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ka ndodhur një sulm terrorist, ku ka mbetur i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku, është plagosur një polic, dhe një tjetër është lënduar.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar Serbinë për këtë sulm dhe kanë kërkuar sanksionimin e saj, mirëpo një hap i tillë ende nuk është marrë nga Bashkimi Europian.