Vjosa Osmani: Terroristët s’na zmbrapsin, por vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë!
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani përmes rrjetit Facebook ka shpërndarë pamje të pjesëtarëve të policisë së Kosovës me mbishkrim se të gjithë jemi në anën e tyre.
Osmani tutje u shpreh se terroristët nuk na zmbrapsin, por vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë.
“Në misionin fisnik, në mbrojtje të integritetit e sovranitetit të Republikës së Kosovës, jemi të gjithë në krah të Policisë së Kosovës. Të gjithë bashkë me një mesazh: Terroristët s’na zmbrapsin, por vetëm e forcojnë vendosmërinë tonë! Faleminderit heronjve tanë në uniformë!Kosova është e përjetshme!”- ka shkruar Osmani.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.
Zhvillimet pas vrasjes së policit të Kosovës në veri të vendit