Foto: Atdhe Mulla
Gjykata e detyron shtetin e Kosovës t’i paguajë 95 mijë euro familjes së Diana Kastratit
Pas 8 vjet, një muaj e 16 ditë që nga vrasja mizore e Diana Kastratit, Gjykata e Prizrenit ka marrë vendim që prindërve të Dianës, Gëzim e Makfire Kastrati, t’u kompensohet dëmi për vuajtjen që kanë përjetuar me rastin e humbjes së vajzës së tyre, vrasje e cila besohet se erdhi si rezultat i dështimit të drejtësisë kosovare që të përmbushin detyrimin e tyre ligjor në mbrojtjen të raportueses/viktimës.
Me 95 mijë euro Gjykata e Prizrenit e ka vlerësuar vuajtjen/dhimbjen shpirtërore që i është shkaktuar prindërve të Dianës me rastin e vrasjes së vajzës së tyre, të holla këto të cilat Republika e Kosovës me anë të këtij vendimi është e detyruar t’ia paguajë Gëzim e Makfire Kastratit.
Gjykata e Prizrenit vlerësoi se me rastin e vrasjes së Diana Kastratit, vrasje e cila sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese erdhi si pasojë e mos veprimit të institucioneve të drejtësisë, prindërve të Dianës u është shkaktuar vuajtje e dhimbje shpirtërore.
Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011, në rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë, nga ish-partneri i saj, me të cilin bashkëjetonte për më shumë se 10 vjet. Ata së bashku kishin një vajzë, por nuk kishin kurorë formale martesore.
Tri javë para se të vritej, ajo kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Komunale në Prishtine, për urdhër të mbrojtjes emergjente, por gjykata nuk kishte vepruar.
Përkundër që tanimë e ndjera Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje emergjente, Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës me mosveprim i kishte cenuar këtë të drejtë duke mos i ofruar mbrojtje deri kur kërcënimi u realizua dhe Diana Kastrati u vra, siç u raportua nga ish-partneri i saj.
Me iniciativën e prindërve të së ndjerës, Gëzim e Makfire Kastrati me 17 prill 2012, deputeti/avokati Korab Sejdiu, Gjykatës Kushtetuese ia parashtroi kërkesën që kërkonte të deklarojë se dështimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë, për të vepruar sipas kërkesës së Dianës, kishte shkelur të drejtat e saj në bazë të Kushtetutës.
Pas trajtimit të rastit Gjykata Kushtetuese, gjeti se Gjykata Komunale në Prishtinë ishte përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të parashikuara me Ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe se mosveprimi i saj paraqet shkelje të detyrimeve kushtetuese që rrjedhin nga neni 25 i Kushtetutës dhe neni 2 i KEDNJ-së. Më tej, Gjykata konstatoi se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtine në kërkesën e së ndjerës D,K, për lëshimin e urdhrit për mbrojtje emergjente, si dhe praktika e zhvilluar nga KGJK-ja për adresimin e mosveprimit të gjykatave të rregullta, atëherë kur duhet të veprojnë, ka penguar viktimën dhe parashtruesit e kërkesës në realizimin e të drejtave të tyre për mjete efektive juridike, të parapara me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së.
Pas vendimit të Kushtetueses, Gëzim e Makfire Kastrati, në nëntor të 2013-ës i paditën Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Gjykatën Themelore të Prishtinës si dhe Republikën e Kosovës nga të cilët kërkuan kompensim të dëmit jo material, të cilin e kanë përjetuar me rastin e vrasjes së vajzës së tyre Diana Kastrati.
Në padinë për kompensim të dëmit thuhej se paditësit/prindërit e Dianës kanë pësuar vuajtje të thellë shpirtërore, frikë dhe pasiguri, si dhe të njëjtit vazhdojnë të jetojnë me dhimbje dhe vuajtje të thellë nga dështimi i autoriteteve publike, përkatësisht të paditurve për të mbrojtur të drejtën në jetë të bijës së tyre dhe të drejtave të paditësve si palë e dëmtuar.
5 vjet, 7 muaj e 4 ditë pas ushtrimit të padisë, Gjykata e Prizrenit ka marrë vendim që aprovoj pjesërisht padinë e prindërve të Dianes, të përfaqësuar nga Shoqëria e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini” SHPK, përkatësisht avokatet Artan Qerkini e Korab Sejdiu.
“Gjykata duke vepruar në bazë të nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës dhe në frymë të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut gjeti se përgjegjëse për të drejtat e shkelura e të cilat janë të kategorisë Kushtetuese të cilat janë faktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, është përgjegjës Republika e Kosovës”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit.
Ndonëse prindërit e Dianës kërkuan kompensim në vlerë prej 600 mijë eurove, pas vlerësimit të të gjitha provave të administruara dhe fakteve të vërtetuara, Gjykatës së Prizrenit i rezultoi se kërkesëpadia e paditësve përtej shumës së aprovuar prej 95 mijë eurove është kërkesë e pa bazë, pasi që Gjykata pas çmuarjes së lirë vlerësoi se shumat e gjykuara janë të përshtatshme në përputhje me standardin jetësor në Republikën e Kosovës dhe praktikën gjyqësore.
Po ashtu Gjykata me anë të këtij vendimi e ka obliguar Republikën e Kosovës që në emër të shpenzimeve procedurale t’i paguaj shumën e përgjithshme prej 1488 eurove.
Lidhur me kërkesëpadinë ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykata e Prizrenit e ka konsideruar si të pabazuar ndërsa ndaj Gjykatës Themelore të Prishtinës si të tërhequr.