Arkiv - Milan Radoiçiq (në mes, pa kravatë), pasi u emërua nënkryetar i Listës Serbe, Foto: Kossev/Balkan Insight

Vetëm emri i Millan Radoiçiqit u largua nga lista e të kërkuarve për rastin e vrasjes së Ivanoviqit

Në mënyrë misterioze është tërhequr urdhër-arresti ndaj njërit prej të kërkuarve për vrasjen e ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, Millan Radoiçiq.

Prokurori, të cilit i ishte transferuar lënda pasi ish-prokurori Sylë Hoxha kishte dalë në pension, Burim Çerkini, tha se tërheqja e urdhër-arrestit ndaj Millan Radoiçiqit është konfidenciale dhe se nuk mund të deklarohet në lidhje me këtë rast.

Kujtojmë se në lidhje me vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, urdhër-arrest pati edhe për Zhelko Bojiqin, për dy vepra penale (në bashkëkryerje) -keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe – pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare, si dhe ndaj Zvonko Veselinoviqit, i cili dyshohej se ishte si udhëheqës i grupit kriminal së bashku me Millan Radoiçiqin.

Urdhër-arrestet për Veselinoviqin dhe Bojiqin nuk janë revokuar, ndërsa prokurori Çerkini nuk dha përgjigje as për këtë çështje.

“Është çështje e prokurorisë kjo. Ka ngritur pikëpyetje kjo çështje për ju, por jo për ne. Por nuk mund të deklarohem sepse janë çështje të prokurorisë”, tha Çerkini në një bisedë telefonike me KALLXO.com.

Tutje i pyetur se a ka qenë edhe Policia pjesë e kërkesës për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Millan Radoiçiq, prokurori special tha se Policia nuk mund të bëjë një kërkesë të tillë.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi se Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë që ta tërheqë letër-rreshtimin ndaj njërit nga të kërkuarit për vrasjen e ish- politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, Millan Radoiçiq.

Lajmin e ka konfirmuar dje edhe gjykatësi Valon Kurtaj për KALLXO.com.

“PRSK (Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës) ka bërë kërkesë për tërheqjen e letër-rreshtimit dhe gjykata duke vepruar sipas kërkesës së saj e ka tërhequr letër- rreshtimin”, tha gjykatësi Kurtaj për KALLXO.com

Ai shtoi se ky letër- rreshtim është lëshuar dhe tërhequr sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale ndërsa për detaje ka rekomanduar qe t’i drejtohemi Prokurorisë pasi që çështja është konfidenciale për hetimin.