Vërshimet, evakuohen të gjitha familjet e rrezikuara nga përmbytjet në Skenderaj

Komuna e Skenderajt ka dalë me njoftim lidhur me situatën e krijuar nga vërshimet.

Sipas njoftimit, pas ndërprerjes së reshjeve të shiut, situata duket të jetë nën kontroll dhe menaxhim të shtabit emergjent.

“Pas ndërprerjeve të shiut, me gjithë nivelin e lartë të ujit dhe vërshimet, situata duket të jetë nën kontroll dhe në menaxhim të ekipeve të Shtabit Emergjent”- thuhet në njoftim.

Në njoftim bëhet e ditur se janë evakuuar të  gjitha familjet që kanë qenë të rrezikuara nga përmbytjet.

“Falë angazhimit dhe reagimit të shpejtë, është arritë të evakuohen të gjitha familjet që kanë qenë të rrezikuara nga përmbytjet. Mëgjithëketë, pas kësaj fatkeqësie, falë Zotit, asnjë jetë e humbur”- njofton Komuna.

Vërshimet kanë prekur disa komuna, përfshirë këtu Pejën, Skenderajn, Drenasin, Mitrovicën e të tjera, ku disa prej tyre edhe kanë shpallur edhe gjendje emergjente.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se kanë ngritur gatishmërinë shtetërore me rastin e vëshimeve që kanë ndodhur sot.

Përmes një komunikate për media është njoftuar se Agjencioni i Menaxhimit Emergjent në kuadër të MPB-së në koordinim me Iinstituin Hidrometorologjik të Kosovës ka marrë të gjitha masat e nevojshme duke ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha komunat.