Vendimi i Apelit për Salih Mustafën pritet të shpallet këtë javë

Gjykata Speciale në Hagë do të vendos më 14 dhjetor për çështjen kundër ish-komandantit Salih Mustafa, i njohur ndryshe si ‘Cali’.

Shpallja e vendimit të Apelit pritet të bëhet në orën 09:30 me një vonesë prej 10 minutash, duke u transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Ish-eprori i UÇK-së i njohur me nofkën ‘Cali’ ishte dënuar me 26 vjet burg në shkallën e parë, nën akuza për krime lufte përfshirë aktet e dyshuara të kryera në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999.

Mustafa u gjet fajtor dhe u dënua me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturimin e të paktën gjashtë të burgosurve dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Ndërkaq, u gjet i pafajshëm për krimin e luftës të trajtimit mizor.

Vendimi i dhënë nga trupi gjykues në shkallë të parë, i përbërë nga gjykatësit Mapi Feld-Folia (kryesuese), Roland Dekers, Zhilber Biti dhe Vladimir Mikula (gjykatës rezervë), shënon njëherit vendimin e parë të shpallur nga Gjykata me seli në Hagë të Holandës.

Aktualisht, disa procese gjyqësore janë në zhvillim në Dhomat e Specializuara, përfshirë rastin e ish-krerëve të UÇK-së si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në një rast tjetër ndaras, gjykohet Pjetër Shala, ish-pjesëtari i UÇK-së, për krime të pretenduara të kryera në vitin 1999 në një fabrikë në Kukës, Shqipëri. Aktakuza pretendon se disa të ndaluar janë keqtrajtuar dhe njëri prej tyre është vrarë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare dhe amendamentit kushtetues, duke u dhënë një mandat të caktuar për hetimin dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve lufte dhe krimeve të tjera për periudhën janar 1998 – dhjetor 2000, sipas legjislacionit të Kosovës.

Më herët, nga DHSK janë dënuar edhe Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, por për pengim të administrimit të drejtësisë. Ata me një vendim të fundit u liruan me kushte të përcaktuara.

Kohët e fundit, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka realizuar arrestime, bastisje-operacione në Kosovë, duke përfshirë pronat e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit.

Kjo është një vazhdimësi e angazhimit të tyre në hetimin e veprave penale kundër administrimit të drejtësisë. ZPS ka deklaruar se do të ndjekë penalisht ata që frikësojnë ose ndërhyjnë te dëshmitarët, duke ofruar mbështetje financiare apo ndonjë formë tjetër për vepra të tilla penale.

Gjatë këtij viti, Gjykata Speciale ka intervistuar disa persona, duke konfiskuar telefonat e tyre, përfshirë ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i cili kishte punuar si këshilltar i Thaçit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.