Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Vdes personi që u godit nga kamioni i mbeturinave në Deçan

Policia e Kosovës ka njoftuar për vdekjen e personit i cili dje ishte aksidentuar nga një kamion i një kompanie të grumbullimit të mbeturinave.

Driton Rugova, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pjesës ka thënë për KALLXO.com se personi i cili ishte aksidentuar dje nga kamioni i një kompanie të mbledhjes ka vdekur sot në mëngjes.

“Sot më datë 28.09.2023, rreth orës 07:00, jemi informuar se viktima nuk ka mundur t’i përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë, këtë e ka konfirmuar ekipi mjekësor”- ka thënë Rugova.

Rugova ka thënë se i ndjeri ishe punëtori i kompanisë së mbledhjes së mbeturinave.

Sipas tij, dje (27.09.2023), rreth orës 10:40, policia është informuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Voksh-Deçan, në këtë aksident ishin të involvuara një kamion dhe një këmbësor (punëtor i kësaj kompanie) dhe si pasojë e këtij aksidenti punëtori ka pësuar lëndime të rënda trupore.

I ndjeri ishte dërguar fillimisht në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, dhe nga aty për shkak të natyrës së lëndimeve është dërguar në QKUK- Prishtinë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se shoferi i kamionit që shkaktoi incidenti është dërguar në mbajtje.