Foshnja e lindur pa shenja jete në Spitalin e Pejës dyshohet se u fut në rrobalarëse

Një foshnje e lindur pa shenja jete, javën e kaluar në  Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, po dyshohet se është futur në rrobalarëse.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Nikçi tha se Prokuroria është në fazën e hetimeve ndërsa theksoi se në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja e krimeve të rënda dhe Inspektorati i Shëndetësisë.

“Ajo çfarë mund të them është se rasti ka ndodhur javën e kaluar ndërkaq prokurorja e krimeve të rënda ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me Inspektoratin e Shëdetësisë ku janë ndërmarrë disa veprime. Ne si prokurori jemi në fazën hetimore dhe për shkak se është rast i ndjeshëm nuk mund të jap më shume informata”- tha ai.

Zëdhënësi i Prokurorisë tha për KALLXO.com se sot është mbajtur një takim mes prindit të foshnjës dhe prokurores së çështjes.

“Jemi në pritje të raportit dhe Inspektoratit Shëndetësor dhe veprimeve të tjera. Ajo çfarë është relevante për këtë çështje është se sot ka pasur një takim mes prokurores së çështjes dhe prindit të foshnjës dhe ka qenë një takim konsultativ”- theksoi Nikçi.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me drejtorin dhe zëdhënësin e Spitalit të Pejës por ata janë të paqasshëm.

Dyshohet se një foshnje lindi pa shenja jete në Spitalin e Pejës, rasti po hetohet (kallxo.com)