Vitia: Të gjithë invalidët e UÇK-së do të kompensohen për ndërrimin, mirëmbajtjen dhe vendosjen e protezave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë raportimin në Komisionin për mbikëqyrje të financave publike ka folur edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbulimin e shpenzimeve të trajtimit mjekësor të invalidëve të luftës.

Vitia theksoi se personave me status të invalidit të luftës do t’iu mbulohen shpenzimet për trajtimin mjekësor për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publike, kur këto të fundit nuk ofrojnë këto shërbime.

Deklarata e ministrit erdhi si rrjedhojë e një pyetje nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa.

“Kisha dashtë me ditë sepse kemi pas kërkesa prej invalidëve të UÇK-së që nuk ka pas përgjigje për rregullimin e protezave dhe mirëmbajtën të tyre apo vendosjen e të rejave. Do të thotë kanë shku në institucione në Ortopedi nuk kanë pas pajisje e nuk kanë pasë mundësi me i mirëmbajtë, kisha dashtë me dit me ja dhënë një përgjigje atyre këtu përmes mediave”- tha Beqa.

Ministri tha se shumica e kërkesave të mirëmbajtjes së protezave janë bërë në nëntor dhe dhjetor të vitit 2023 dhe se të gjitha kërkesat tashmë janë miratuar.

“Sa i përket invalidëve të UÇK-së shumica e kërkesa e mirëmbajtjes së protezave janë bërë në nëntor dhe dhjetor 2023, dhe kur e kemi pa e analizu rrugët, Qeveria dhe Ministria kemi pas ndjeshmërinë maksimale që të institucionalizohet ky proces dhe të shkohet përmes fondit për sigurime shëndetësore dhe nga vendimi që kemi marrë para pak ditësh në Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha këto kërkesa janë miratuar dhe të gjithë invalidët e UÇK-së do të kompensohen për mirëmbajtjen për proteza të reja”- ka shpjeguar Vitia.

Vitia bëri të ditur se në tri vitet ardhshme janë ndarë mbi 2 milionë e 100 mijë euro për çështjen e mirëmbajtjes së protezave.

“Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë në tri vitet e ardhshme ka ndarë mbi 2 milionë e 100 mijë euro që këto shërbime përmes një plani të veprimit të investohet në resurse gjithashtu edhe njerëzore që këto shërbime invalidët të mos kenë nevojë ti bëjnë jashtë vendit sepse e kemi për obligim për të jua lehtësuar aq sa mundemi”- u shpreh ministri.

Qeveria e Kosovës më 20.03.2024, ka miratuar  kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për mbulim të plotë të shpenzimeve nga trajtimi mjekësor i personave me status të invalidit të luftës për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publike, kur këto të fundit nuk ofrojnë këto shërbime.

MSH në vitin e kaluar ka aprovuar një plan të veprimit për ngritje e kapaciteteve infrastrukturore dhe njerëzore në institucionet shëndetësore publike që këto shërbime të ofrohen në të ardhmen.