Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Vitia bën thirrje për hetimin e çdo detaji për vdekjen e 4-vjeçares

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka reaguar pë rastin e vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova në QKUK.

Vitia ka thënë se kushdo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë.

“Humbja e jetës së vajzës 4 vjeçare nga Gjakova na ka prekur të gjithëve. Jemi informuar për përvojën që kanë pasur prindërit nga deklarimet e tyre publike” – ka thënë Ministri.

Ai i ka bërë thirrje organeve të hetimit që sa më parë rasti të hetohet në çdo detaj.

“Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve!” – ka shkruar Vitia në Facebook.

Vdekja e 4-vjeçarjes më 19.02.2024 ka nxitur reagime publike të cilat kanë hedhur dyshime mbi mënyrën e trajtimit shëndetësor që i është ofruar asaj.

Ky rast është duke u hetuar nga policia dhe prokuroria dhe është iniciuar si “hetim i vdekjes”, ndërkaq trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka kërkuar hetimin e rastit duke ngritur dyshime mbi menaxhimin e rastit nga institucionet shëndetësore, brenda të cilit thotë se mund të gjenden vepra penale, shkelje etike e profesionale dhe trajtim jo human.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se ka nisur hetime për këtë rast dhe se do ta monitorojë nga afër nё mënyrë qё tё “sigurojë se tё gjitha institucionet përgjegjëse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj”.

Lidhur me këtë rast janë deklaruar edhe institucionet që i ofruan trajtim shëndetësor viktimës. ShSKUK si mbikëqyrëse e QKUK-së dhe spitaleve rajonale ka thënë se ka kërkuar raporte të detajuara nga QKUK dhe Spitali i Gjakovës, ku pacientja ishte trajtuar paraprakisht dhe se të njëjtat do t’i shqyrtojë.

“Pacientja sjellet nga Spitali i Gjakovës, si rast i intubuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së, me parametra vital dhe me gjendje mjaft të rënduar shëndetësore” – thotë ShSKUK.

Kjo ndihmë mjekësore në QKUK, sipas komunikatës ishte kërkuar më 17.02.2024 rreth orës 15:00.

Më tej thuhet se janë kryer të gjitha analizat laboratorike dhe diagnostike – radiologjike dhe janë thirrë për konsultë mjekët e fushave përkatëse.

“Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë (infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024” – thuhet në komunikatë.

Spitali i Gjakovës po ashtu ka treguar për trajtimin që i është ofruar pacientes dhe ka thënë se konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale kanë vazhduar derisa ka filluar përkeqësimi i gjendjes së pacientes dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtimi i mëtejmë në nivel tretësor shëndetësor.

Prokuroria e Gjakovës e kontaktuar nga KALLXO.com nuk ka dhënë më shumë detaje për rastin.