Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në vizitë të renovimeve në Gjinekologji-QKUK, Foto: ZKM

Kurti dhe ministri Vitia vizituan renovimet në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, synohet shtimi i shërbimeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vizituar Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës më 08.03.2024, për të parë nga afër renovimet në katër reparte të kësaj klinike.

Në këtë vizitë kryeministrin Kurti e shoqëroi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të cilët u mirëpritën nga Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, Drejtori i QKUK-së, Osman Hajdaraj, Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj dhe stafi shëndetësor i kësaj klinike. 

Kjo Klinikë numëron gjithsej 13 reparte, ndërsa renovimet janë duke u bërë në një hapësirë prej 5000m2, ku përfshihen korridoret, dhomat dhe shtretërit.

Ekipi i KALLXO.com e ka vizituar Klinikën e Gjinekologjisë më 02.02.2024 dhe më pas ka raportuar rreth gjendjes së pacientëve që trajtoheshin përgjatë këtyre renovimeve.

Për shkak të ambienteve të pluhurosura të kësaj klinike si pasojë e renovimeve, lehonat e shtrira mbanin foshnjat e tyre në krah. Ndërsa, zhurma e “hiltave” mbizotëronte vajin e foshnjave të porsalindura.

Në lidhje me këtë raportim, Ndrejaj në një përgjigje për KALLXO.com më 02.02.2024 kishte thënë se nuk kanë hapësira për t’i larguar lehonat larg vendpunimeve.

Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, në bazë të këtij projekti për renovime përfshihet edhe digjitalizimi i pjesës hyrëse të Klinikës së Gjinekologjisë, tek recepsioni, i cili pritet t’ua lehtësojë punën stafit dhe t’i minimizojë pritjet e gjata të pacientëve për të marrë shërbime. 

Në anën tjetër, kryeminstri Kurti pas vizitës ka folur për repartet të cilat janë duke u renovuar dhe vlerën e projektit për këto renovime.

“Teksa qarkulluam korridoreve dhe këtyre dhomave që po renovohen në katër reparte gjithsej, pra Reparti i lehonave pas lindjes natyrore; Lehonave pas lindjes me prerje cezariane, por gjithashtu edhe hyrja e klinikës këtu, pra me ambulantë të pranimit dhe Ambulanta Specialisitike. Gjithsej rreth 2.5 milionë euro, me ç’rast nuk duhet harruar edhe klimatizimin edhe ventilimin qendror që është i një rëndësie të veçantë dhe digjitalizimin e shërbimeve që e rrit cilësinë e shërbimit” – ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar rëndësinë e numrit të shtretërve që do të ketë në dhomat e renovuara, nga dy shtretër maksimalisht.

“Unë në veçanti u gëzova kur mora vesh që nuk do të ketë më dhoma me nga 6 deri në 9 shtretër, por maksimalisht dy shtretër, kjo është tejet e rëndësishme edhe për suksesin e shërbimit që jep personeli, e gjithashtu edhe për kushtet në të cilat trajtohet pacientja ose pacienti” – është shprehur Kurti.

Tutje, Kurti ka përmendur tri shërbime të reja të cilat do të ofrohen nga kjo Klinikë dhe mendon se shtimi i këtyre shërbimeve do ta rrisë përzgjedhjen e QKUK-së nga qytetarët për t’u trajtuar në këtë Klinikë.

“Janë lajm i mirë edhe këto 3 shërbime të reja pra, Fertilizimi i Asistuar Mjekësor, si dhe Mjekësia Fetale dhe Amniocenteza, të cilat pa dyshim që do ta rrisin edhe reitingun e QKUK-së, në përgjithësi e në veçanti Klinikës Gjinekologjike. Pra pacientëve kur iu tregoni se jepni më shumë shërbime dhe e keni ngritur cilësinë e shërbimeve, automatikisht ngriten edhe pritjet e tyre” – ka shtuar ai.

Me këtë rast, Ndrejaj ka bërë të ditur se kur dhe çka pritet të ofrojnë këto shërbime për qytetarët.

Sipas tij, Fertilizimi i Asistuar Mjekësor pritet që shumë shpejtë të funksionalizohet pasi që pajisjet veçse janë në tenderim, shërbimi i Amnoicentezës nënkupton identifikimin e anomalive tek fëmijët në barkun e nënës që në muajt e parë të formimit.

Ndrejaj ka deklaruar se këto shërbime do të bëhen për herë të parë në Republikën e Kosovës, në QKUK, gjegjësisht në Klinikën Gjinekologjike.

Kryeministri Kurti më pas i ka falenderuar stafin për kontributin, përkushtimin, punën, angazhimin e tyre, duke i quajtur “heronj të heshtur, të gjallë të punës”.

“Faleminderit në fund për atë që është më e rëndësishmja për kontributin, përkushtimin, punën, angazhimin që e bëni jo vetëm përditë e për çdo orë, por mbase për çdo minutë e për çdo sekondë, sepse këtu lind jeta edhe momentet fare të shkurtra bëhen vendimtare”- ka përfunduar Kurti.

Në anën tjetër, ministri Vitia e ka vlerësuar punën që po bëhet në kuadër të këtyre renovimeve duke përmendur faktin se gjinekologjia ka qenë në prioritet të Qeverisë për investime dhe përmirësimin e kushteve.

“Jam i lumtur që pas këtyre renovimeve kushtet e juaja dhe potenciali i juaj për të dhënë shërbime sa më të mira për pacientet tona do të jetë në një nivel tjetër”- ka deklaruar ministri Vitia.

Ministri Vitia më 08.08.2023, kishte premtuar investime në infrastrukturë dhe në përmirësimin e kushteve për pacientet në Klinikën e Gjinekologjisë.

Renovimi në Gjinekologji është investim i Ministrisë së Shëndetësisë, përmes huamarrjes nga Banka Botërore, i cili ka filluar në dhjetor të vitit 2023, ndërsa pritet të përfundojë në muajin prill 2024, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.