(Ilustrim) - Foto: KALLXO.com

“Human Rights Network” kërkon respektimin e privatësisë së familjes së 4-vjeçares që vdiq në QKUK

Grupi i organizatave të shoqërisë civile “Human Rights Network” ka deklaruar se janë thellësisht të tronditur dhe të shqetësuar me rastin e vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova.

4-vjeçarja ka vdekur më 19.02.2024 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ky grup është shprehur i shqetësuar me rrethanat e vdekjes që thonë se ka ndodhur në rrethana që sugjerojnë neglizhencë të rëndë mjekësore dhe diskriminim të mundshëm.

“Vajza e vogël raportohet të jetë pjesëtare e një komuniteti etnikisht të margjinalizuar, e cila iu nënshtrua një sulmi të dhunshëm, duke marrë lëndime që kërkonin kujdes mjekësor të menjëhershëm dhe të kujdesshëm. Fatkeqësisht, pretendimet sugjerojnë se përgjigja mjekësore që ajo kishte marrë ishte shumë e jo-adekuate, duke ngritur pyetje në lidhje me faktorë si diskriminimi etnik dhe sa ka luajtur rol kjo në nivelin e kujdesit të dhënë” – thuhet në këtë reagim.

“Human Rights Network” ka bërë thirrje që rasti të hetohet në mënyrë transparente dhe që të mbahet përgjegjëse çdo palë që konstatohet se ka qenë neglizhente.

Po ashtu, është kërkuar respektimi i privatësisë dhe dinjitetit të familjes e të viktimës, duke shmangur çdo raportim apo publikim që mund të shkaktojë dëme të mëtejshme për familjen.

Ky grup thotë se kjo ngjarje duhet të shërbejë si një katalizator për ndryshime sistematike në sistemin shëndetësor dhe shoqëror për të siguruar që çdo fëmijë të marrë kujdesin dhe mbrojtjen që i takon.

“Human Rights Network” përbëhet nga organizatat: Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës (HANDIKOS), Qendra për Barazi dhe Liri – (CEL Kosova), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE) dhe Iniciativa e Re Sociale (NSI).

Vdekja e 4-vjeçares është duke u hetuar nga policia dhe prokuroria. Rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”, ndërkaq trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se ka nisur hetime për këtë rast dhe se do ta monitorojë nga afër nё mënyrë qё tё “sigurojë se tё gjitha institucionet përgjegjëse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj”.

Lidhur me këtë rast janë deklaruar edhe institucionet që i ofruan trajtim shëndetësor viktimës. ShSKUK si mbikëqyrëse e QKUK-së dhe spitaleve rajonale ka thënë se ka kërkuar raporte të detajuara nga QKUK dhe Spitali i Gjakovës, ku pacientja ishte trajtuar paraprakisht dhe se të njëjtat do t’i shqyrtojë.

“Pacientja sjellet nga Spitali i Gjakovës, si rast i intubuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së, me parametra vital dhe me gjendje mjaft të rënduar shëndetësore” – thotë ShSKUK.

Kjo ndihmë mjekësore në QKUK, sipas komunikatës ishte kërkuar më 17.02.2024 rreth orës 15:00.

Më tej thuhet se janë kryer të gjitha analizat laboratorike dhe diagnostike – radiologjike dhe janë thirrë për konsultë mjekët e fushave përkatëse.

“Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë (infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024” – thuhet në komunikatë.

Spitali i Gjakovës po ashtu ka treguar për trajtimin që i është ofruar pacientes dhe ka thënë se konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale kanë vazhduar derisa ka filluar përkeqësimi i gjendjes së pacientes dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtimi i mëtejmë në nivel tretësor shëndetësor.