Vdekja e 4-vjeçares nga Gjakova në QKUK, reagojnë Shoqata e Pacientëve dhe Spitali i Gjakovës

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka kërkuar hetimin e rastit të vdekjes së një 4-vjeçareje nga Gjakova në QKUK, më 19.02.2024.

PRAK ka ngritur dyshime mbi menaxhimin e rastit nga institucionet shëndetësore, brenda të cilit thotë se mund të gjenden vepra penale, shkelje etike e profesionale dhe trajtim jo human.

“Ftojmë Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Shëndetësor dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor që ta hetojnë këtë rast, ta gjykojnë dhe ta dënojnë në përputhje me shkeljet e evidentuara” – thuhet në reagim.

Para se të transferohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), viktima ishte trajtuar fillimisht në Spitalin e Gjakovës.

Spitali i Gjakovës ka treguar për trajtimin që i është ofruar pacientes dhe ka thënë se konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale ka vazhduar derisa ka filluar përkeqësimi i gjendjes së pacientes dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtimi i mëtejmë në nivel tretësor shëndetësor.

“Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmijës (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se më datë 16.02.2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun, fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirurgjisë” – thuhet në komunikatën e spitalit, në Facebook.

Për këtë rast, policia dhe prokuroria kanë filluar hetimet. Rasti është inicuar si “hetim i vdekjes”, ndërkaq trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Spitali thotë se ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK.

“Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashkëndiejmë me familjen” – është shkruar më tej në komunikatë.

Ndërkaq, PRAK ka vlerësuar se ky rast tregon mirë brishtësinë e sistemit shëndetësor, mungesën e profesionalizmit dhe neglizhencën e një pjese të stafit shëndetësor në menaxhimin e rasteve.

KALLXO.com ka dërguar pyetje lidhur me këtë rast edhe në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, i cili mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë asnjë përgjigje.