Vdekja e 4-vjeçares - Inspektorati Shëndetësor bëri inspektim në Spitalin e Gjakovës

Inspektorati Shëndetësor ka bërë inspektim në Spitalin e Gjakovës lidhur me rastin e vdekjes së 4-vjeçares.

“Ju informojmë se Inspektorati Shëndetësor ka kryer inspektim më datë 21.02.2024 në Spitalin e Gjakovës në lidhje me rastin në fjalë dhe lënda është në procedurë” – tha Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për KALLXO.com.

Një 4-vjeçare ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës më 19.02.2024. Atje ishte referuar nga Spitali i Gjakovës, ku ishte trajtuar paraprakisht.

Ky rast është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria. Rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”, ndërkaq trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Kjo vdekje ka nxitur disa reagime publike.

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka kërkuar hetimin e rastit duke ngritur dyshime mbi menaxhimin e rastit nga institucionet shëndetësore, brenda të cilit thotë se mund të gjenden vepra penale, shkelje etike e profesionale dhe trajtim jo human.

Grupi i organizatave të shoqërisë civile “Human Rights Network” ka deklaruar se janë thellësisht të tronditur dhe të shqetësuar me rastin e vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova.

Lidhur me këtë rast janë deklaruar edhe institucionet që i ofruan trajtim shëndetësor viktimës. SHSKUK si mbikëqyrëse e QKUK-së dhe spitaleve rajonale ka thënë se ka kërkuar raporte të detajuara nga QKUK dhe Spitali i Gjakovës, ku pacientja ishte trajtuar paraprakisht dhe se të njëjtat do t’i shqyrtojë.

“Pacientja sjellet nga Spitali i Gjakovës, si rast i intubuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së, me parametra vital dhe me gjendje mjaft të rënduar shëndetësore” – thotë SHSKUK.

Kjo ndihmë mjekësore në QKUK, sipas komunikatës ishte kërkuar më 17.02.2024 rreth orës 15:00.

Më tej thuhet se janë kryer të gjitha analizat laboratorike dhe diagnostike – radiologjike dhe janë thirrë për konsultë mjekët e fushave përkatëse.

“Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës sepse (infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024” – thuhet në komunikatë.

Spitali i Gjakovës po ashtu ka treguar për trajtimin që i është ofruar pacientes dhe ka thënë se konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale kanë vazhduar derisa ka filluar përkeqësimi i gjendjes së pacientes dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtimi i mëtejmë në nivel tretësor shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka reaguar pë rastin e vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova në QKUK.

Vitia ka thënë se kushdo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë.

“Humbja e jetës së vajzës 4 vjeçare nga Gjakova na ka prekur të gjithëve. Jemi informuar për përvojën që kanë pasur prindërit nga deklarimet e tyre publike” – ka thënë Ministri.

Ministri Vitia bën thirrje për hetimin e çdo detaji për vdekjen e 4-vjeçares