Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Vitia anulon vendimin për themelimin e spitalit të Podujevës, i rekomandohet ndërtimi i një poliklinike

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka shfuqizuar vendimin e vitit 2016 për themelimin e spitalit të Podujevës.

Sipas rekomandimeve të një grupi punues, kjo komunë duhet të ketë një poliklinikë.

Kështu u bë e ditur sot, më 20.03.2024, në mbledhjen e bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, nga kryesuesi i bordit, Naim Bardiqi, i cili njëherësh është edhe Sekretar në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Është bërë një grup punues i cili ka bërë raportin e vlerësimit të gjendjes dhe ka ardhë me rekomandime që në vend të spitalit të përgjithshëm të krijohet një poliklinike për nevojat” – tha Bardiqi.

Kërkesë e Komunës së Podujevës ka qenë edhe ndryshimi i objektit, tha ai.

Siç tha Bardiqi, ministri i Shëndetësisë ka aprovuar edhe planin e veprimit i cili ka rrjedhur nga rekomandimet e grupit punues i cili ka hartuar një raport të vlerësimit për nevojat e Podujevës për një institucion të tillë shëndetësor.

“Për me ardhë deri te zbatimi i këtyre mendoj që bordi duhet t’i rekomandojë ministrit nxjerrjen e vendimit që në përputhje me planin e veprimit të aprovuar nga vetë ministri të nxjerrë vendimin për themelimin e poliklinikës” – u shpreh kryesuesi i bordit.

Me 5 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim, bordi i SHSKUK-së vendosi që t’i rekomandojë ministrit nxjerrjen e këtij vendimi.

Në mbledhjen e sotme, përveç Bardiqit, morën pjesë edhe anëtarët Dren Boshnjaku, Tetore Olloni, Besim Demolli dhe Enver Gashi, ndërsa munguan Rrezarta Bajrami dhe Vjollca Kadolli.

Vendimi për themelimin e spitalit të përgjithshëm në Podujevë e kishte marrë ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, më 27.10.2016.

Arsyetimi i vendimit thoshte “në funksion të krijimit të kushteve të përshtatshme për mbrojtjen dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, trajtimin adekuat për pacientët në nevojë dhe duke marrë parasysh numrin e banorëve në territorin e Komunës së Podujevës”.

Përkundër premtimeve për ndërtimin e këtij spitali, Qeveria Kurti nuk kishte ndarë asnjë cent për të, për vitin 2022. Ministri i Financave, Hekuran Murati kishte thënë se ky projekt do të bëhet me kredi të buta.

“Ndërtimi i spitalit në Podujevë, mua kryeministër dhe me Shpejtim Bulliqin kryetar, Podujeva e fiton spitalin e saj, përfundimin e magjistrales Prishtinë-Podujevë brenda vitit të ardhshëm” – kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Podujevë.

Kryetari i kësaj Komune nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, kishte kritikuar Qeverinë paraprake të udhëhqur nga Avdullah Hoti kur nuk kishte ndarë buxhet për spitalin e Podujevës në buxhetin e vitit 2021.

Tenderi 9-milionësh për ndërtimin e spitalit të Podujevës ishte shpallur në vitin 2020.

Në buxhetin e vitit 2021 nuk ishin paraparë mjete financiare për ndërtimin e tij.

Duke iu referuar kësaj, zyrtari kryesor financiar i SHSKUK-së në shtator të vitit 2021 kishte thënë se kjo procedurë nuk mund të vazhdojë për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore.