Vasfije Krasniqi Goodman, një nga të paktat kosovare që ka folur hapur për përdhunimin e saj gjatë luftës. Foto: Presidenca e Kosovës.

Vasfije Krasniqi - Goodman: Do të punoj për drejtësinë që duhet ta arrijmë

Vasfije Krasniqi – Goodman, kandidate për deputet nga Lwvizja Vetwvendosje, ka premtuar se do të jetw zëri i qytetetarëve, sidomos i atyre që më së shumti i goditi lufta e viteve ’98-’99.

“Të kesh në qendër të vëmendjes ata njerëz që më së shumti i goditi lufta e viteve ’98-’99, do të thotë përpjekje e qëllim për ta parë në sy të kaluarën, për të mbyllur me drejtësi e përmes drejtësisë̈ pasojat e saj, do të thotë të mendosh ndërtimin e së ardhmes, pa pesha të mbartura e të mbetura nga e kaluara. Unë do të punoj për këtë, pa u lodhur, pa u ndalur, me zemër, me shpirt, me mendje”, ka shkruar Krasniqi – Goodman, në Facebook.

Postimi i plotë i Vasfije Krasniqi- Goodman:

Të dashur bashkëqytetarët e mi!

Dita e zgjedhjeve, 14 shkurti i këtij viti, demonstroi qartë e bindshëm, se sa është rrënjosur ndër ne, kultura demokratike e shprehja më e lartë e saj: e drejta për të zgjedhur e për tu zgjedhur, liria për të votuar e për t’u votuar.

Asnjë parregullsi evidente, asnjë ngjarje që të dëshmonte të kundërtën, përkundrazi. Fakti që më pas i gjithë shtypi e kanceleritë perëndimore vlerësuan maksimalisht procesin elektoral, më mbush jo vetëm me një ndjenjë krenarie për popullin tim, por edhe më krijon bindjen se me një ecuri të tillë, me një pjekuri të tillë politike, drejt së ardhmes mund e duhet të shihet vetëm me optimizëm.

Të dashurit e mi!

Për mua ka qenë privilegj të garoj si kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje. Nr.4 që mbajta në këtë listë flet për prioritetin me të cilin ky grupim politik, i konsideron temat e përpjekjes së armatosur për liri, që ndërmorëm 20 vite të shkuara. Të kesh në qendër të vëmendjes ata njerëz që më së shumti i goditi lufta e viteve ’98-’99, do të thotë përpjekje e qëllim për ta parë në sy të kaluarën, për të mbyllur me drejtësi e përmes drejtësisë pasojat e saj, do të thotë të mendosh ndërtimin e së ardhmes, pa pesha të mbartura e të mbetura nga e kaluara. Unë do të punoj për këtë, pa u lodhur, pa u ndalur, me zemër, me shpirt, me mendje.

Të dashur bashkëqytetarë̈!

Në këto ditë, kam marrë me mijëra e mijëra mesazhe, urime, përshëndetje, nxitje, mbështetje, për të qenë vetvetja në misionin që më pret, zëri i fuqishëm institucional i të mbijetuarve. Ju falënderoj të gjithëve, një për një. U premtoj se do të jem ai zë që doni ta dëgjoni, do të punoj e luftoj për drejtësinë̈ që na përket e që duhet ta arrijmë. Unë jam thellësisht e bindur që do të korrim rezultatet e shpresuara dhe këtë bindje ma jep prania juaj, mbështetja juaj, përkrahja juaj, dashuria që më shfaqni.

Ju përqafoj të gjithëve

Juaja, Buqe.