Vjosa Osmani, Vasfije Krasniqi

Vasfije Krasniqi emërohet e dërguar e posaçme për dhunën seksuale gjatë luftës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka emëruar Vasfije Krasniqin si të dërguar të posaçme të presidencës në lidhje me dhunën seksuale gjatë luftës.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Osmani tha se Krasniqi i ka dhënë zë dhimbjes së mijëra grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

“Kam emëruar Vasfije Krasniqin si e Dërguar e Posaçme Presidenciale lidhur me dhunën seksuale gjatë luftës. Ajo i ka dhënë zë dhimbjes së mijëra grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë . Në rolin e saj të ri, ajo do të vazhdojë kërkimin për drejtësi dhe do të amplifikojë zërat e të mbijetuarve në botë”- ka shkruar Osmani në rrjetin social  X.

Derisa, Vasfije Krasniqi është shprehur e nderuar me këtë emërim të dhënë nga Presidentja.

“Çfarë nderi. Faleminderit. Gjithmonë do flas për të mbijeturit/at”- është shprehur Krasniqi.

Krasniqi është ndër gratë e para në Kosovë që publikisht ka treguar se ishte dhunuar seksualisht nga forcat serbe në vitin 1999.

Ajo mori pozitën e deputetes në Kuvend të Kosovës në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit dhe aktualisht qeverisë me vendin, por u dorëhoq në shtator 2022 për shkaqe shëndetësore.