KFOR

Ushtarët italianë të KFOR-it kryejnë stërvitje për kontroll të trazirave në turma

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka shpërndarë pamje nga stërvitja e ushtarëve italinë në kuadër të misionit për kontrollim të trazirave ne turma.

Në njoftim bëhet e ditur se ushtrime të tilla kryhen rregullisht në mënyrë që të jenë në gatishmëri të lartë operacionale.

“Ushtarët italianë të caktuar në Forcën Rezervë Operacionale të misionit KFOR-it të udhëhequr nga NATO kryejnë rregullisht aktivitete stërvitore për kontrollin e trazirave të turmës për të ruajtur gatishmërinë e lartë operacionale”- thuhet njoftimin e KFOR-it të datës 24.02.2024.

KFOR më tej potencon se vazhdon të zbatojë mandatin që e ka, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të ofruar mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

KFOR është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit – EULEX.

29.05.2023, në ditën e katër të protestave të serbëve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, dhjetëra ushtarë të KFOR-it ishin sulmuar dhe kishin pësuar lëndime në Zveçan, 19 ushtarë hungarezë dhe 11 ushtarë italianë. Madje njërit prej ushtarëve hungarezë sipas njoftimit të KFOR-it i ishte amputuar këmba.

Serbët në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës kishin protestuar që nga 26.05.2023, duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale, pas fitores së tyre në zgjedhjet që u mbajtën më 23.04.2023. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit u u bojkotuan nga serbët. Ato u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve serbë të këtyre katër komunave me shumicë serbe bashkë me zyrtarët e tjerë serbë nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë policët, gjyqtarët, prokurorët, deputetët e Kuvendit, etj.