Situata në veri - Pamje

23:04 – NATO dënon fuqishëm dhunën e përdorur ndaj trupave të KFOR-it në Zveçan

Aleanca Veri – Atlantike (NATO) ka dënuar fuqishëm sulmet e paprovokuara të trupave të misionit paqeruajtës KFOR-it në Zveçan sot gjatë ditës.

Përmes një deklarate të zëdhënëses së NATO-s, Oana Lungescu është thënë se sulmet e tilla janë krejtësisht të papranueshme dhe se dhuna duhet të ndalet menjëherë.

“NATO dënon fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të NATO-s në Kosovë – KFOR në veri të Kosovës, të cilat kanë çuar në plagosjen e një numri prej tyre. Sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme. Dhuna duhet të ndalet menjëherë”- thuhet në komunikatë.

NATO u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin tensionet dhe të angazhohen në dialog.

“KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”- kanë deklaruar nga NATO.

Së paku 25 pjesëtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar pas përleshjes me protestuesit në Zveçan.

Protestuesit kanë gjuajtur mjete shpërthyese në drejtim të tyre.

22:40 – Largohen autoblindat e KFOR-it nga hapësira rreth Komunës së Mitrovicës së Veriut 

Autoblindat e KFOR-it të cilat kanë qenë të vendosura rreth komunës së Mitrovicës së Veriut, janë larguar.

Ekipi i KALLXO.com ju sjell pamje nga vendi i ngjarjes:

Mitrovicë e Veriut, Foto: KALLXO.com
Mitrovicë e Veriut, Foto: KALLXO.com

22:25 – Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi ende brenda objektit të komunës?

 Jo zyrtarisht KALLXO.com ka mësuar se kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi është ende brenda objektit të Komunës.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me Hetemin dhe është në pritje të përgjigjes.

Në Leposaviq sot gjatë tërë ditës ka pasur tensione në mes protestuesve dhe forcave të KFOR-it.

Këta të fundit kanë paralajmëruar të paktën dy herë protestuesit që të largohen por të njëjtit kanë refuzuar.

Ndërkaq në Zveçan ka pasur përleshje në mes KFOR-it dhe protestuesve. Si pasojë të paktën 25 pjesëtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.

Protestuesit kanë hedhur mjetë shpërthyese në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it.

21:45 – Opozita e shqetësuar për situatën në veri, kërkojnë që Qeveria të koordinohet me ndërkombëtarët

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë shprehur shqetësim në lidhje me tensionet e krijuara në pjesën veriore të vendit teksa kanë dënuar sulmet ndaj sulmet e grupeve kriminale ndaj KFOR-it, gazetarëve dhe institucioneve të Kosovës.

Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që çdo veprim i tyre të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare.

“Duke e kuptuar drejt seriozitetin e situatës dhe tensionin e ngritur në komunat e pjesës veriore të vendit, ftojmë Presidenten dhe Kryeministrin që të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës” – ka shkruar kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në Facebook.

Edhe LDK ka reaguar në lidhje me tensionet në veri të vendit.

“Veprimet e matura politike janë të domosdoshme për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të mëtutjeshëm të situatës e deri në shtensionimin e plotë të gjendjes, teksa institucionet e rendit dhe ligjit të sjellin të gjithë kryerësit e sulmeve të tilla para drejtësisë”- thuhet në reagimin e LDK-së.

Ndërka, Bekë Berisha nga AAK-ja u bëri thirrje qytetarëve të komunitetit serb që të mos bien pre e thirrjeve luft-nxitëse të presidentit serb, Aleksander Vuqiç.

“Për ne situata është e ndjeshme, ku për tre ditë me radhë po dëgjohen krisma në veri e kallashnikov, po digjen makinat e policisë e tashmë janë invlovuar edhe KFOR-i. Zhvillimet kanë marrë teposhzën, ku çdo orë po ndodh diçka. Situata në veri është shqetësuese e papranueshme dhe e rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në vend. Kuvendi i Kosovës do të duhej të ishte në mbledhje të jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë në mbledhje të vazhdueshme”- tha Berisha.

Në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit, Kurti në takimin me ambasadorët e vendeve mike, ka shprehur gatishmërinë për të punuar me shtetet e QUINT-in drejt shtensionimit të situatës në veri.

21:43 – Protestuesit në Leposaviq gjuajnë me vezë në drejtim të gazetarëve

Protestuesit serbë në Leposaviq kanë gjuajtur me vezë dhe gjësende të tjera në drejtim të gazetarëve.

Gazetarja e KALLXO.com, Adelina Ahmeti raporton nga vendi i ngjarjes se protestuesit që po qëndrojnë atje që 14 orë, prej kur edhe gazetarët janë duke raportuar, po bëjnë disa lloje të provokimeve. Gazetarët gjenden disa metra larg protestuesve.

Në pamje shihen edhe protestuesit duke hedhur vezë dhe duke brohoritur.

Ekipet e KFOR-it ende po qëndrojnë në oborrin e Komunës së Leposaviqit. Ata kanë bërë thirrje dy herë që protestuesit të tërhiqen.

Për shkak të situatës së tensionuar dhe dhunës së përdorur është bërë një kërkesë që prezenca e KFOR-it të shtohet edhe në Leposaviq.

KFOR-i ka blinduar objektin komunal.

Besohet se zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi gjendet në objektin e komunës. Një gjë e tillë nuk është konfirmuar ende nga ana e tij.

Së fundmi, protestuesit kanë filluar të brohorasin emrin e Lulzim Hetemit.

Përforcimet e KFOR-it vazhdojnë të qëndrojnë në afërsi të stacionit të policisë.

Gjatë ditës së sotme, ekipe të gazetarëve janë sulmuar dhe disa vetura të tyre janë dëmtuar. Njëra prej tyre edhe është djegur.

21:39 – Krerët e institucioneve të Kosovës fajësojnë Vuçiqin për situatën në veri

Në reagime publike, krerët e institucioneve kosovare kanë fajësuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për situatën e krijuar.

“Strukturat ilegale serbe të  shndërruara në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët” – thuhet në një reagim të presidentes Vjosa Osmani.

“Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë” – citohet të ketë thënë Presidentja Osmani.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka dënuar dhunën që ndodhi sot në veriun e Kosovës. Ai kërkoi nga spektri ndërkombëtar që të dënojë dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it.

“Ndërkohë, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje ambasadave të vendeve mike ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale, të cilat haptazi janë të mbështetura nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe që synojnë destabilizimin e vendit tonë!” – tha Glauk Konjufca.

“Është koha që dhunës t’i përgjigjemi me një zë të përbashkët. Ajo nuk mund të tolerohet” – ka vlerësuar kryekuvendari Konjufca.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka akuzuar Beogradin zyrtar pas situatës së krijuar.

“Shkas dhe temë kryesore e takimit ishin zhvillimet e fundit në veri të vendit, sidomos veprimet e dhunshme dhe kriminale të protestuesve ekstremistë ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe pjesëtarëve të medieve. Edhe pse në këto grumbullime sot ka edhe protestues paqësorë, kryeministri vlerësoi se këto nuk janë protesta paqësore, por turma ekstremistësh të dirigjuara nga Beogradi zyrtar” – citohet të ketë thënë kryeministri Kurti.

“Grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe aso pro-kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë jo-serbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë” – thuhet në komunikatën e ZKM-së.

20:50 – Zyrtarë policorë mbetën të ngujuar në autoblinda gjatë tërë ditës

Dy autoblinda mbetën të ngujuara në turmën e qytetarëve që protestuan sot pranë objektit të komunës së Zveçanit, e brenda këtyre autoblindave, pati edhe zyrtarë policor, të cilët tashmë janë liruar.

Që nga mëngjesi, e deri para gati dy orëve kur edhe eskaloi situata, KFOR po tentonte të arrinte një marrëveshje me Listën Serbe që këto dy autoblinda me zyrtarët brenda tyre të lejoheshin të niseshin për në jug.

Lista Serbe për këtë thoshte se qytetarët nuk lejojnë të ndodhë diçka e tillë, kjo pasi kërkesa e këtyre të fundit ishte që të largoheshin të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Edhe eskalimi i situatës u bë pasi u vendos që automjetet e PK-së të largoheshin, dy automjetet u sollën afër komunës përderisa tensionet u rritën.

Autoblindave në fjalë iu vendosën edhe flamujt serb, e të njëjtave iu shkruan edhe simbole nacionaliste serbe e edhe simboli “Z”.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka deklaruar se janë rreth 25 ushtarë të plagosur gjatë ndalimit të protestuesve që ndodhi në komunën e Zveçanit.

Sipas një komunikate për media, të lënduarit janë trajtuar me kohë nga njësitë mjekësore të KFOR-it, dhe se aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli mjekësor i cili po vlerëson gjendjen e tyre.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës njoftoi se deri më tani 5 persona janë arrestuar për situatën e krijuar sot.

20:41 – Stafi i Spitalit ku po kurohen ushtarët e plagosur të KFOR-it i largon mediat nga oborri i spitalit

Drejtori i Spitalit Amerikan, Igli Larashi nuk ka pranuar të flas para mediave për gjendjen e ushtarëve të KFOR-it të cilët janë duke u trajtuar në këtë institucion.

Larshi gjithashtu ka kërkuar nga mediat që të largohen nga oborri i spitalit duke thënë se  “… e vetmja gjë që mund të them është se këtu ka pacientë dhe jemi këtu për të ju dhënë shërbim mjekësor kush do që janë”.

KFOR ka deklaruar se rreth 25 ushtarë nga kontingjenti shumëkombësh, janë plagosur gjatë ndalimit të protestues që ndodhi në komunën e Zveçanit.

Në drejtim të ushtarëve janë hedhur gurë dhe koktej mollotovi.

20:36 – Protestuesi gjuan me shishe xhami në drejtim të kordonit të KFOR-it në Zveçan

20:21 – Policia: Në Zveçan dhe komuna tjera po qarkullojnë grupe kriminale të armatosura, të veshur në rroba të zeza e të maskuar

Policia e Kosovës në një informacion zyrtar konfirmoi se gjendja aktualisht në komunat në veri të vendit, mbetet e tensionuar.

Sipas forcave të rendit, në Zveçan, por edhe komuna të tjera, persona të armatosur, në rroba të zeza dhe të maskuar, po qarkullojnë.

“Protesta është ende duke vazhduar, situata vazhdon të jetë e tensionuar sidomos në Zveçan, pasi aty dhe në komuna tjera po qarkullojnë persona/grupe kriminale të armatosur, të veshur në rroba të zeza e të maskuar” – thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

“Duke parë rrethanat dhe situatën e tensionuar të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e provokimeve të çfarëdo natyre qofshin ato” – vijon njoftimi i policisë.

20:16 – N1: Mbi 53 persona të lënduar nga përleshjet në Zveçan

Sipas televizionit serb N1, drejtori i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicë ka thënë se më shumë se 53 persona kanë lëndime të ndryshme nga bombat shokuese, gazi lotsjellës dhe goditjet, tre janë të ndaluar në spital, dhe një person është në rrezik për jetën dhe ka plagë me armë zjarri.

Në mesin e të plagosurve është edhe njëri prej politikanëve serbë, mëson N1.

RTS bën të ditur se është ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, i cili ka lëndime në gjoks.

20:11 – Disa ushtarë të KFOR-it largohen nga spitali në Prishtinë

Disa pjesëtarë të KFOR-it janë larguar nga spitali në Prishtinë, pas marrjes së trajtimit mjekësorë.

KFOR-i ka njoftuar se nga tensionet e sotme në Zveçan rreth 25 ushtarë janë plagosur.

Në drejtim të ushtarëve është hedhur gurë dhe koktej molotovi.

Foto: KALLXO.com

20:08 – Gazetarët e ngujuar për tri orë arrijnë të largohen nga Zveçani me ndihmën e pronarit të kafiterisë

Një numër i gazetarëve kosovarë kanë mbetur të ngujuar për tri orë në një kafene afër ndërtesës së Komunës së Zveçanit.

Pas gati 3 orëve ata janë larguar nga aty, pa ndonjë problem.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha ka shkruar se kjo u bë e mundur vetëm falë pronarit serb të kafenesë, që u siguruar t’i përcjellë të gjithë deri në veturat e tyre, afër stacionit policor.

Ai ka publikuar edhe disa fotografi të gazetarëve.

20:03 -Pamje të rënda të ushtarëve të KFOR-it pas përleshjeve në Zveçan

Disa pjesëtarë të lënduar të KFOR-it janë parë në rrugë të Zveçanit pas intervenimit për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri pasi paraprakisht i paralajmëroi, por ata nuk u bindën, raporton REL.

Gaz lotsjellës, zjarr dhe shtëllunga tymi kanë përfshirë zonën, ndërkohë që dëgjohen edhe sirena dhe shpërthime.

19:58 – KFOR: Rreth 25 ushtarë janë plagosur gjatë protestes në Zveçan

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka deklaruar se janë rreth 25 ushtarë të plagosur gjatë ndalimit të protestuesve që ndodhi në komunën e Zveçanit.

Sipas një komunikate për media, të lënduarit janë trajtuar me kohë nga njësitë mjekësore të KFOR-it, dhe se aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli mjekësor i cili po vlerëson gjendjen e tyre.

“Sot pasdite njësitet e KFOR-it janë dislokuar në 4 komunat e veriut të Kosovës me qëllim të frenimit të demonstratave të dhunshme që ndodhën pasi kryetarët e sapozgjedhur ditëve të fundit tentuan të marrin detyrën. Duke iu kundërvënë skajeve më aktive të turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të marra trauma me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse” – thuhet në komunikatën e KFOR-it.

19:41 – LIVE – KALLXO.com sjell detaje nga Mitrovica e Veriut

Ekipi i KALLXO.com po qëndron në Mitrovicë të Veriut, përkatësisht në lagje të Boashnjakëve

Në atë pjesë shihen prezencë e KFOR-it si edhe në komunat tjera veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Pas tensioneve të së hënës pasdite, disa ushtarë të KFOR-it kanë marrë lëndime, pasi janë sulmuar me mjete të forta nga protestuesit serbë.

Detajet nga Mitrovica e Veriut:

 

19:40 – Agjencia italiane e lajmeve Ansa: 41 ushtarë të KFOR-it të lënduar

Agjencia italiane e lajmeve Ansa ka njoftuar se 41 ushtarë të KFOR-it, duke përfshirë 11 ushtarë italianë, u lënduan në përleshjet e rënda midis trupave të NATO-s dhe demonstruesve serbë në Zveçan. Mirëpo, KFOR ka njoftuar më vonë se 25 ushtarë janë plagosur. Nga 11 ushtarët talianë të plagosur, tre janë të lënduar rëndë, por jo në rrezik për jetën.

19:36 – Ambasadori Szunyog: BE-ja në Kosovë dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur se Bashkimi Evropian dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan karshi trupave të KFOR-it.

“BE-ja në Kosovë dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër KFOR-it,  trupave që ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe uljen e tensioneve” – ka shkruar Szunyog në Twitter.

19:26 – Policia: Janë lënduar/plagosur disa zyrtarë të KFOR-it dhe janë arrestuar pesë persona të dyshuar

Policia e Kosovës ka dalë me njoftim në lidhje me zhvillimet në veri. Përmes një komunikate, Policia e Kosovës ka njoftuar se disa zyrtarë të KFOR-it janë plagosur.

Po ashtu, në njoftim thuhet se janë arrestuar edhe pesë persona të dyshuar për sulmet.

“Si pasojë e dhunës së shfrenuar deri më tani janë lënduar/plagosur disa zyrtarë të KFOR-it, si dhe deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar të cilët kanë përdorur sulme e dhunë ndaj tyre. Po ashtu një veture zyrtare të PK-së i është vënë zjarri si dhe janë dëmtuar edhe vetura tjera”- thuhet në njoftimin e PK-së.

PK gjithashtu gjithashtu ka thënë se protestuesit në Zveçan kanë provokuar situatën, kanë shfaqur dhunë, kanë gjuajtur gjësende të ndryshme në drejtim të zyrtarëve policorë, kanë vendosur e shkruar mbishkrime provokuese me simbole serbe e ruse në automjetet policore e të KFOR-it, si dhe kanë dëmtuar gomat dhe pjesë të tjera të automjeteve.

Ushtarët e KFOR-it të lënduar në Zveçan, Pamjet: KALLXO.com

19:02 – Momenti kur ushtarët e plagosur të KFOR-it tërhiqen zvarrë nga ushtarët e tjerë në Zveçan

Pjesëtarë të KFOR-it në Zveçan janë parë duke u konfrontuar me protestuesit serbë.

Situata është e tensionuar në mes protestuesve dhe KFOR-it.

Protestuesit kanë gjuajtur gjësende shpërthyese në drejtim të KFOR-it.

Në pamje shihen edhe pjesëtarë të plagosur të shtrirë në vendin e ngjarjes, të cilët tërhiqen ga kolegët e tyre.

19:08 – Ushtarët e lënduar të KFOR-it po sillen në Prishtinë

Ushtarët e lënduar të KFOR-it po sillen në Prishtinë, pas lëndimeve që kanë marrë nga tensionet në Zveçan.

Ekipi i KALLXO.com gjendet momentalisht në afërsi të Spitalit Amerikan në Prishtinë.

Sipas burimeve të KALLXO.com, në këtë spital në kryeqytet janë duke u sjellë ushtarët e lënduar nga përleshjet në veri të vendit.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani, ka thënë se 11 ushtarë italianë të KFOR-it janë lënduar në veri, 3 prej tyre në gjendje të rëndë.

Tajani ka thënë se gjatë përleshjes mes protestuesve serbë dhe KFOR-it, 11 ushtarë Italianë kanë marrë lëndime, prej tyre 3 në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetë.

19:07 – 11 ushtarë italianë të KFOR-it të lënduar, 3 në gjendje të rëndë

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani, ka thënë se 11 ushtarë italianë të KFOR-it janë lënduar në veri, 3 prej tyre në gjendje të rëndë.

Tajani ka thënë se gjatë përleshjes mes protestuesve serbë dhe KFOR-it, 11 ushtarë Italianë kanë marrë lëndime, prej tyre 3 në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetë.

“Dua të shpreh solidaritet me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve ndërmjet demonstruesve serbë dhe policisë kosovare. Mes tyre 11 italianë, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Ushtria italiane vazhdon të punojë për paqen” – ka shkruar ai.

18:52 – KFOR-i me ekipe shtesë në Leposaviq

Ekipe shtesë të KFOR-it janë parë në Leposaviq. KFOR-i u ka bërë thirrje dy herë deri më tani protestuesve serbë në Leposaviq që të shpërndahen, por të njëjtë kanë refuzuar.

Ekipet e KFOR-it kanë kërkuar përforcime në Leposaviq pas “eskalimit” të situatës në Zveçan, ku pjesëtarët e KFOR-it u konfrontuan me protestuesit.

Aktualisht KFOR-i me 10 ekipet e shtuara në Leposaviq janë pozicionuar tek stacioni policor.

18:51 – Momenti kur ushtarët e KFOR-it lëndohen pas përleshjeve me protestuesit serbë

Pamjet nga Zveçani tregojnë momentin kur ushtarët e KFOR-it lëndohen pas sulmeve ntë protestuesve serbë, të cilët nuk iu bindën KFOR-it për t’u shpërndarë.

Raportohet se disa ushtarë të KFOR-it janë dërguar për trajtim mjekësor.

18:46 – Ushtarët e lënduar të KFOR-it në Zveçan

Disa ushtarë të KFOR-it janë lënduar gjatë intervenimit ndaj protestuesve serbë në Zveçan.

Në drejtim të ushtarëve janë hedhur gurë dhe koktej molotovi.

Ushtarët e lënduar janë duke u dërguar për trajtim në spital.

Më poshtë mund të shihni fotografitë e realizuar nga Radio Evropa e Lirë

18:32 – Hovenier dënon edhe njëherë sulmin e trupave të KFOR-it në Zveçan

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka dënuar veprimet e dhunshme të protestuesve serbë në Zveçan ndaj trupave të KFOR-it.

“SHBA-ja dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër trupave që kërkojnë të ruajnë paqen, KFOR-it” – ka shkruar ambasadori në Twitter.

Ai ka përsëritur thirrjen për ndalimin e dhunës.

“Ne përsërisim thirrjen tonë për një ndalim të menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”- ka shtuar ai.

Sot, në Zveçan disa protestues serbë janë përleshur me trupat KFOR-it.

 

18:22 – Abbott: Sulmet ndaj trupave të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminale dhe të papranueshme

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott i ka quajtur të papranueshme dhe kriminale sulmet ndaj trupave të KFOR-it dhe gazetarëve nga ana e protestueseve në veri të Kosovës.

Ai përmes rrjetit Twitter theksoi se duhet të merren menjëherë hapa për ulje të tensioneve.

“Sulmet ndaj personelit të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminale dhe të papranueshme. Ashtu siç QUINT e ka bërë shumë të qartë-duhet të merren menjëherë hapa për de eskalim dhe ulje të tensioneve”- ka shkruar Abbott.

Gjatë ditës, protestues në veri të Kosovës ka hedhur shok bomba, gur e gjësende tjera drejt trupave të KFOR-it . Derisa shumë makina zyrtare të Njësive Speciale të Kosovës, KFOR dhe mediave janë dëmtuar me grafite nacionaliste, thyerje të xhamave, shpim të gomave e madje edhe janë djegur.

17:55 – Hovenier takohet me Kurtin, këshillon atë për të de-përshkallëzimin e situatës në veri

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier është deklaruar për media pas takimit që pati bashkë me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe kryeministrin Albin Kurti.

Hovenier u shpreh i shqetësuar me situatën në veri të vendit dhe tensionet atje.

Ambasadori i SHBA-së tha se kanë kërkuar nga kryeministri Kurti që të marrë hapa për të siguruar situatën atje.

Ai tha se tani për tani nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga objekti i komunës, por të gjejnë mënyra tjera.

Hovenier tha se kanë marrëveshje që situata duhet të qetësohet por nuk kanë marrëveshje se si të bëhet e njëjta.

“Me kërkesë të kryeministrit Kurti ne sot jemi këtu për të biseduar për situatën në veri dhe për të parë nëse marrëveshja në mes dy vendeve është duke u implementuar”.

“Biseduam për rëndësinë e arritjes së një marrëveshje për de-përshkallëzim të situatës. Në kërkuam nga kryeministri që të merr hapa për të siguruar situatën. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT janë duke kërkuar që nuk është e nevojshme që kryetarët të punojnë çdo ditë në komunë por të gjejnë një mënyrë që ata të punojnë diku tjetër por të kryejnë detyrat, kjo të ndodh për një afat të shkurtër kohor (short-term). Marrëveshja që situata duhet të de-përshkallëzohet është por si duhet të ndodh ajo, nuk dihet nëse ka”- tha ai.

“Sikurse Qeveria që ka gjetur një mënyrë që ata të bëjmë betimin në objekte tjera alternative që të mënjanojnë konfliktet dhe mundësinë për të ngritur tensionet, ne gjithashtu mendojmë që ajo është mënyra e përshtatshme që ata të punojnë dhe kjo është perspektive e SHBA-së”- deklaroi ai.

Ai u shpreh i shqetësuar edhe për grafitet e vizatuara në makinat e KFOR-it nga protestuesit sot në veri të vendit.

17:46 – Situata në veri, mblidhet Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

Për shkak të zhvillimeve në veri, nga ora 17:00 është mbledhur Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Nga Komisioni thanë se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla nuk po merr pjesë në mbledhje. Arsyetimi i tij ka qenë se nuk mund të marrë pjesë “për shkak të zhvillimeve”.

Sveçla është ftuar në këtë mbledhje për raportim sot.

Mbledhja e Komisionit për Siguri është e mbyllur. Brenda janë deputetët, Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Anton Quni nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Hisen Berisha nga Partia Demokratike e Kosovës.

17:02 –  Tensione në Leposaviq, KFOR-i u bënë thirrje protestuesve për t’u shpërndarë

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i u ka bërë thirrje protestuesve në Leposaviq për t’u shpërndarë të qetë.

KFOR-i që nga mëngjesi ka qenë pranë objekteve komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Protestuesit kanë refuzuar të shpërndahen edhe pas thirrjeve të KFOR-it dhe të njëjtit janë duke qëndruar.

Në Leposaviq protestuesit kanë gjuajtur vezë edhe në drejtim të gazetarëve.

17:05 – Momenti kur përplasen ushtarët e KFOR-it me protestues në Zveçan

Para pak çastesh, KFOR përmes një mesazhi audio njoftoi protestuesit që të shpërndahen.

Vetëm pas pak minutash nisi një përplasje mes kordonit të pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë dhe protestuesve, serbë lokal nga Zveçani.

Përplasja ka ndodhur vetëm disa metra larg objektit të Komunës së Zveçanit.

Më pas, protestusit janë ulur në gjunjë përballë pjesëtarëve të KFOR-it.

Videon e këtij momenti mund ta gjeni në këtë link të publikuar nga KoSSev.

16:55 – Tensione në Zveçan, protestuesit serbë s’i binden KFOR-it për t’u shpërndarë

Situatë e tensionuar është duke u zhvilluar në komunën e Zveçanit. Pjesëtarët e KFOR-it të cilët që nga mëngjesi janë pranë objektit të komunës kanë paralajmëruar protestuesit për tu shpërndarë të qetë.

Ekipi i KALLXO.com i cili po qëndron në Zveçan po raporton se protestuesit nuk iu janë bindur thirrjeve të KFOR-it për tu shpërndarë.

Protestuesit kanë gjuajtur gurë dhe gjësende të tjera në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it. Raportohet se ushtarë të KFOR-it janë ndihmuar nga kolegët e tyre, pasi kanë pësuar lëndime nga gazi lotsjellës.

Tensione në Zveçan, Foto: KALLXO.com 29 maj 2023
Tensione në Zveçan, Foto: KALLXO.com 29 maj 2023
Tensione në Zveçan, Foto: KALLXO.com 29 maj 2023

16:52 – Tensionet në veri – Kurti në takim me ambasadorët e QUINT-it

KALLXO.com mëson se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorët e QUINT-it në Qeveri.

Takimi është duke vazhduar. Edhe protestat e qytetarëve serbë të Kosovës janë duke vazhduar në veri të vendit.

Atje janë të pranishëm edhe KFOR-i dhe Policia e Kosovës.

16:47 –  Pas paralajmërimit, KFOR-i shpërndan protestuesit në Zveçan

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan. Paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

“Ju po shkaktoni trazira. Po e rrezikoni veten dhe komunitetin tuaj. Largohuni nga zona dhe shkoni në shtëpi – në të kundërtën, KFOR-i do të detyrohet të ndërhyjë”, ishte audio-paralajmërimi i KFOR-it raporton Radio Evropa e Lirë.

16:44 – Ambasadorët e QUINT-it në zyrë të Kurtit

KALLXO.com mëson se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Qeveri.

Takimi është duke vazhduar.

KALLXO.com do të ju mbajë të informuar në lidhje me takimin.

16:39 – Gurë e gaz lotsjellës në drejtim të trupave të KFOR-it në Zveçan

Protestuesit në Zveçan kanë hedhur gurë e gaz lotsjellës në drejtim të ushtarëve të misionit të NATO-s KFOR në Zveçan.

Gazetarja e KALLXO.com, Shkodrane Dakaj raporton nga vendi i ngjarjes, se ka në vazhdimësi shpërthime, gjuajtje me gurë, shishe dhe shok bomba.

16:30 – Protestuesit nuk lejojnë largimin e autoblindave në Zveçan 

Protestuesit serbë janë ulur në rrugë, po e kundërshtojnë largimin e dy autoblindave.

Në autoblindë është vendosur paraprakisht flamuri i Serbisë.

Zveçan, 29 maj 2023

15:59 – KFOR-i monitoron situatën në Zveçan nga ajri

Përderisa situata vazhdon të jetë e njëjtë, qytetarët ende gjenden në grup pranë komunës së Zveçanit, misioni i NATO-s – KFOR, ka monitoruar situatën edhe nga ajri.

Një helikopter është parë duke monitoruar situatën nga lart.

Ekipet të KFOR-it vazhdojnë të qëndrojnë pranë komunës, përderisa shumica e zyrtarëve policorë të Kosovës gjenden brenda në ndërtesën e komunës.

15:48 – I vihet flaka veturës së Tëvë 1 në Zubin Potok

Persona të panjohura i kanë vënë flakën veturës së ekipit të gazetarëve të Tëvë 1 në Zubin Potok. Këtë e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Disa minuta më herët ky televizion njoftoi se veturës së Tëvë 1 iu kishin thyer dritaret dhe iu kishin shpërthyer gomat.

AGK  i ka quajtur sjellje të papranueshme ndërsa u ka bërë thirrje NATO-së dhe EULEX-it të reagojnë sa më parë ndaj sulmeve ndaj gazetarëve në komunat në veri.

15:31 – Thyhet vetura e TëVë 1 në Zubin Potok

Vetura e ekipit të gazetarëve të TëVë 1 është dëmtuar të hënën në Zubin Potok nga persona të panjohur.

Veturës i janë thyer dritaret dhe i janë shpërthyer gomat. Këtë e kanë bërë të ditur nga ky televizion, duke publikuar fotografi nga vendi i ngjarjes.

Burimi i fotos: TëVë 1 – FCB

Sot gjatë ditës pas tensionimit të situatës në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, janë raportuar disa raste kur ekipeve të gazetarëve në terren u janë dëmtuar veturat dhe janë sulmuar.

Ekipit të KALLXO.com i cili po qëndron në Leposaviq i është dëmtuar vetura.

Veturës i janë shpërthyer gomat dhe janë vizatuar simbole nacionaliste serbe. Për këtë prokuroria ka nisur hetime.

Gjithashtu është raportuar se gazetari i medias online, Periskopi është tentuar të sulmohet fizikisht nga dy persona të panjohur.

Dëmtohen veturat e ekipit të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini – PAMJE

15:22 – Zveçan – Protestuesit vendosin flamurin e Serbisë në autoblindën e Policisë së Kosovës

Protestuesit në Zveçan kanë vendosur flamurin serb në njërën nga autoblindat e Policisë së Kosovës e cila ka mbetur e bllokuar në turmën e protestueseve në këtë komunë.

Autoblinda në të cilën është vendosur flamuri është pranë objektit të Komunës së Zveçanit.

Ndërsa pak minuta më parë është dëgjuar një shpërthim në Zveçan. Dyshohet se kjo ka ardhur si pasojë e shpërthimit të gomës së një autoblinde të Policisë së Kosovës, raporton gazetarja e KALLXO.com Shkodrane Dakaj nga vendi i ngjarjes.

Pamjet nga Zveçani:

Zveçan, flamuri i Serbisë vendoset në autoblindë Foto: KALLXO.com, 29 maj 2023
Zveçan, flamuri i Serbisë vendoset në autoblindë Foto: KALLXO.com, 29 maj 2023

14:50 – Denoncohet rasti i dëmtimit të veturës së KALLXO.com në organet e drejtësisë

Ekipi i KALLXO.com i përbërë nga Adelinë Ahmeti, gazetare dhe Afrim Ejupi, kameraman, ka paraqitur rastin e dëmtimit të veturës në komunën e Leposaviqit.

Persona të panjohur sot gjatë ditës dëmtuan veturën e ekipit të KALLXO.com dhe të RTV Dukagjini, derisa ato ishin të parkuara.

Policia e Kosovës ka hapur rastin dhe me urdhër të Prokurorisë ka nisur hetimet për dëmtim prone dhe nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit.

Ky nuk ishte rastri i vetëm i sulmit ndaj gazetarëve.

Një veturë e televizionit nga Shqipëria, Top-Channel u dëmtua ndërsa ekipi i portalit “Periskopi” u sulmua.

Dëmtohen veturat e ekipit të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini – PAMJE

14:36 – Leposaviq – Protestuesit gjuajnë shkrepsa e shishe në drejtim të KFOR-it amerikan

 Protestuesit në Komunën e Leposaviqit janë duke gjuajtur me pelena fëmijësh në drejtim të KFOR-it amerikan që gjendet aty.

Drejt tyre Ekipi i KALLXO.com ka parë që janë gjuajtur herë pas herë shkrepsa dhe shishe. 

Protestuesit kanë gjuajtur me vezë edhe veturat zyrtare të Policisë së Kosovës të cilat ndodhen afër objektit të Komunës në Leposaviq. 

14:35 – Tensionet në veri, deklarohet kryeministri Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se situata në veri të vendit duhet të qetësohet dhe të zbatohet Marrëveshja Bazë në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti ka shkruar në Twitter se ka biseduar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani dhe se janë pajtuar që të dy për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe qetësimin e situatës në veri.

”Pati një bisedë telefonike me DPM&MPJ të Italisë Antonio Tajani më herët sot. Të dy ramë dakord se koha thërret që të zbatohet Marrëveshja Bazë dhe të qetësohet situata në veri”- ka deklaruar Kurti.

14:19 – Gazetarët nuk u evakuuan në Zveçan

Gazetarët që gjenden në komunën e Zveçanit nuk janë evakuuar nga Policia e Kosovës, siç raportuan disa media gjatë ditës.

Siç mëson KALLXO.com, vetë gazetarët kanë kërkuar për shkak të qasjes në energji elektrike dhe internet, të futen në objektin e Komunës së Zveçanit.

Këto informacione i kanë konfirmuar edhe organet e forcave të rendit.

Ndërkohë, në komunën tjetër, në Leposaviq, veturat e ekipit të gazetave të KALLXO.com, RTV Dukagjini dhe Top-Channel u dëmtuan. Po ashtu, një koleg nga media “Periskopi” u sulmua nga persona të panjohur.

Sulmet ndaj veturave të KALLXO dhe Dukagjinit, reagon AGK

14: 17 – Sulmohet ekipi i Periskopit në Zveçan

Dy persona të maskuar kanë tentuar të sulmojnë ekipin e portalit Periskopi, sot në Zveçan.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka publikuar një fotografi ku shihet se bluza e një pjesëtari të ekipit të Periskopit është shqyer si shkak i tentimit të sulmit, nga i cili thotë se fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Sot është raportuar edhe për tri sulme të tjera të protestuesve serbë në veri ndaj veturave të mediave.

AGK është shprehur shumë e shqetësuar me situatën e krijuar për mediat dhe gazetarët që po raportojnë nga komunat veriore. Asociacioni u ka bërë sërish thirrje NATO-s dhe EULEX-it që të sigurojnë gazetarët dhe t’u mundësojnë raportim pa u penguar.

“Njëherësh, AGK-ja, rekomandon që kolegët t’i dëgjojnë rekomandimet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë prezent atje” – ka shkruar AGK.

Sot në veri janë sulmuar edhe veturat e KALLXO.com, RTV Dukagjinit dhe Top Channel.

Foto: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Facebook

14: 10 – Tensionet në veri – Momenti kur personi i maskuar dëmton veturën në Zveçan

13:51 – Sulmohet edhe vetura e Top Channel në veri

Vetura me të cilën kanë udhëtuar dy mediat nga Shqipëria, Top Channel dhe Euronews Albania është sulmuar sot në Zveçan.

Kështu ka njoftuar kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha i cili ka qenë bashkë me këto dy ekipe.

“Vetëm 20 metra larg një legjioni ushtarësh të NATO-s, makina me të cilën po udhëtoja me ekipet e Top Channel dhe Euronews Albania është sulmuar, spërkatur dhe i janë hequr targat në Zveçan” – ka shkruar Rexha në “Twitter”.

Ai ka publikuar edhe tri fotografi ku shihet gjendja e makinës dhe persona të maskuar në prapavijë, për të cilët ka thënë se është “turmë e maskuar duke i sharë ata”.

Foto: Xhemajl Rexha, Twitter

13:09 – Tensionet në veri, reagon zv/ministri i Punëve të Jashtme

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti ka reaguar pas tensioneve në veri të vendit.

Ahmeti ka thënë se strukturat ilegale të Beogradit po kërkojnë të kthehen drejt Rusisë duke theksuar se kjo po ndodh përderisa Kosova po përparon në reformën në drejtësi dhe sundimin e ligjit.

“Përderisa Kosova po përparon në reformën në drejtësi, demokracinë dhe sundimin e ligjit, motivet dhe qëllimet e strukturave ilegale të dhunshme të Beogradit në veri të Kosovës janë të qarta. Ata po kërkojnë të pamundurën: të kthehen në kohë dhe drejt #Rusisë”- ka deklaruar Ahmeti në twitter.

12:58 – AGK reagon pasi veturat e KALLXO.com dhe RTV Dukagjini u dëmtuan në veri

Asociacioni i Gazetareëve të Kosovës ka dënuar dëmtimin e veturave të gazetarëve të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini.

Përmes një reagimi në Facebook, AGK kërkoi nga organet ligjzbatuese kujdes të shtuar për të u siguruar punë të sigurt gazetarëve në raportim nga veriu.

“AGK-ja, e dënon këtë akt të protestuesve, njëherësh u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurt dhe të papenguar të ekipeve mediale”- thuhet në reagim.

“Vandalizohen dhe dëmtohen veturat e RTV Dukagjinit dhe KALLXOs në Leposaviq. Veturat e RTV Dukagjinit dhe të KALLXOs, janë vandalizuar dhe dëmtuar nga protestuesit në Leposaviq” – thuhet tutje në reagim.

Në fund, organizata që mbron dhe promovon të drejtat e gazetarëve kërkoi nga gazetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë raportimit. 

Dëmtohen veturat e ekipit të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini – PAMJE

12:33 – Dëmtohen veturat e ekipit të gazetarëve të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini

Veturat e ekipit të gazetarëve të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini janë dëmtuar të hënën në mesditë nga persona të panjohur në Leposaviq.

Veturave u janë shpërthyer gomat dhe janë vizatuar simbole nacionaliste serbe.

Gazetarja e KALLXO.com, Adelinë Ahmeti ka konfirmuar se ekipi janë mirë por tha se vetëm ka gjetur të dëmtuara.

Që nga orët e hershme të mëngjesit, ekipet e KALLXO.com po raportojnë nga veriu i vendit ku qytetarë lokal serb po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

12:10 – Simbole nacionaliste serbe vendosen në veturat e Policisë së Kosovës – FOTO

Në veturat e njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur simbole nacionaliste serbe, kryqi me katër ‘C’.

Kuptimi i këtij simboli është “Vetëm bashkimi i shpëton serbët”.

Gjithashtu, në automjete e Policisë së Kosovës është parë edhe simboli i luftës në Ukrainë, shkronja “Z”.

“Z” është bërë një simbol ushtarak në propagandën ruse dhe përdoret nga civilët rusë për të treguar mbështetjen për pushtimin e Ukrainës.

Simboli i “Z”-së është parë edhe në automjetet e KFOR-it amerikan.

Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com

11:46 – Automjetit të KFOR-it i vizatohet shkronja “Z”

Një automjeti të KFOR-it, i cili është bllokuar mes protestuesve në Komunën e Zveçanit, i është vizatuar shkronja “Z” mbi flamurin e SHBA-së.

Për shkak të lidhjes me luftën në Ukrainë, Z është bërë një simbol militarist në propagandën ruse dhe përdoret nga civilët rusë për të treguar mbështetjen për pushtimin e Ukrainës.

11:41 – Shefi i AKI-së i pranishëm në takimin mes presidentes Osmani dhe ambasadorit të SHBA-së

Drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ka marrë pjesë në takimin mes presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Derisa takimi mes Osmanit e Hovenier zhvillohej, shefi i AKI-së është parë duke hyrë në objektin e Presidencës së Kosovës.

Ndërsa, pas takimit, ambasadori Hovenier foli për media. Jeffrey Hovenier tha se gjendja në veri të vendit është shqetësuese.

“Folëm për situatën dhe jemi shumë të shqetësuar, po e përsëris dhe nuk është mister që SHBA dhe QUINT besojnë që është e rëndësishme të shmangim rrethanat kur zyrtarët publikë po qasen në objektet publike me përdorim të forcës pra biseda me kryetarët ishte se si ata mund t’i përmbushin detyrat e tyre që të ju shërbejnë qytetarëve ashtu siç presim na që ata ta bëjnë që i bie që ata të mos qasen në zyre me përdorim te forcës” – tha para gazetarëve ambasadori i SHBA-së.

11:37 – Ambasadori i ShBA-së: Jemi shumë të shqetësuar për situatën në veri

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka përfunduar takimin me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Hovenier tha se në takim kanë biseduar për situatën në veri duke u shprehur i shqetësuar për mundësinë e përshkallëzimit të situatës atje dhe “dhunën e mundshme”.

Ambasadori i ShBA-së foli edhe për takimin me kryetarin e Zubin Potokut dhe Zveçanit i cili u zhvillua sot paradite.

Ai tha se duhet të shmangen situatat që zyrtarët publikë të hynë me forcë në objekte publike.

“Folëm për situatën dhe jemi shumë të shqetësuar, po e përsëris dhe nuk është mister që ShBA-të dhe QUINT-i besojnë që është e rëndësishme të shmangim rrethanat kur zyrtarët publikë po qasen në objektet publike me përdorim të forcës. Pra biseda me kryetarët ishte se si ata mund t’i përmbushin detyrat e tyre që të ju shërbejnë qytetarëve ashtu siç presim na, që ata ta bëjnë, që i bie që ata të mos qasen në zyre me përdorim te forcës”- tha ai.

Hovenier tha se nuk mund të flas se përse kryetarët e dy komunave të tjera veriore nuk kanë shkuar në takim ndërsa ka theksuar se me kënaqësi do të takohej edhe kryeminsitrin Albin Kurti por, sipas Hovenier me sa ka kuptuar ai, Kurti mund të jetë duke udhëtuar.

KALLXO.com është duke pritur konfirmim nga Qeveria nëse Kurti ka udhëtuar dhe në cilin vend.

11:33 – FKOR monitoron situatën nga qielli 

Qindra qytetarë serbë janë duke protestuar para komunave në veri të vendit. Ata po kundërshtojnë kryetarët e rinj të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit.

Protestuesit kanë tentuar që të hyjnë në objektet e komunave, mirëpo KFOR-i ka parandaluar një gjë të tillë.

KFOR ka njoftuar se ka shtuar masat e sigurisë në veri të vendit dhe se është duke monitoruar situatën e sigurisë.

KFOR-i ka vendosur kordonët përreth objekteve të komunave, po ashtu po monitoron situatën edhe nga qielli.

11:15 – Rakiq goditet me shishe boshe

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kërkoi nga të tubuarit para ndërtesës së Komunës në Zveçan që të lëvizin, në mënyrë që të kalojnë dy automjete të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Të tubuarit nuk lejuan duke thirrur “tradhti”.

Kur ndaloi pranë mjetit të njësisë speciale, ata hodhën shishe boshe në drejtim të tij, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni.

Foto: REL/RFE

11:10 – Takimi me kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit, deklarohet Zyra e BE-së në Kosovë

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier dhe ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog kanë ftuar në një takim sot në mëngjes kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri.

Në këtë takim që u zhvillua në zyrat e BE-së në Prishtinë morën pjesë vetëm dy kryetarët që vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës, Izmir Zeqiri, kryetar i zgjedhur i Zubin Potokut dhe Ilir Peci, kryetar i zgjedhur i Zveçanit. Të pranishëm në këtë takim nuk ishin kryetarët e komunave të Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra e BE-së në Kosovë tha se kërkoi nga kryetarët që mos të bëjnë veprime që e përshkallëzojnë situatën.

“Z. Ilir Peci dhe z. Izmir Zeqiri iu përgjigjën pozitivisht ftesës për takimin që u zhvillua në ambientet e Zyrës së BE-së. Të pranishmit diskutuan për situatën në veri të Kosovës. Ambasadorët Szunyog dhe Hovenier u bënë thirrje dy kryetarëve të komunave të tregojnë përmbajtje dhe të mos bëjnë asnjë veprim që mund të shkaktojë incidente të mëtejshme dhe përshkallëzim të mundshëm” – thuhet në një përgjigje të Zyrës së BE-së në Kosovë për KALLXO.com.

10:49 – Situata në veri, KFOR-i deklarohet për media

Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR ka deklaruar se se po vëzhgon nga afër situatën dhe ka shtuar praninë në katër komunat e veriut të Kosovës.

“Mëngjesin e sotëm, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë. Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999” – thuhet në komunikatë.

KFOR ka bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensionet ose të shkaktojnë përshkallëzim.

Tutje, misioni i NATO-s në Kosovë tha se po mban komunikim me përfaqësues të të gjitha palëve.

“Në përputhje me mandatin e tij, KFOR-i është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt në mënyrë neutrale dhe të paanshme” – thuhet tutje në njoftim.

“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve dhe Organizatave të Sigurisë në Kosovë, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar” – thotë KFOR.

Në fund, KFOR-i kërkoi nga Serbia dhe Kosova që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për të ulur tensionet dhe si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit.

KFOR-i në veri, 29 maj 2023
Foto: Afrim Ejupi/ KALLXO.com

10:47 – Lista Serbe paraqet dy kërkesa për tërheqjen e protestuesve

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se janë dy kërkesa që ua ka përcjellë përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri, ku edhe janë tubuar.

“Kërkesat tona janë që sherifët – siç e quajnë veten – të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit”, tha Rakiq, duke folur nga Zveçani.

10:43 – Protestuesit në Leposaviq këndojnë ‘Kosova është zemra e Serbisë’

Protestuesit serbë në Leposaviq këndojnë këngë me përmbajtje nacionaliste. Ata në grupe po thërrasin ‘Kosova është zemra e Serbisë.

Ndërkohë KFOR-i është duke ofruar siguri duke barikaduar hapësirën përreth objektit të Komunës.

10:16 – Takimi i ambasadorit amerikan 

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka përfunduar takimin me dy kryetarët e Komunave të Zveçanit, Ilir Pecin dhe Zubin Potokut, Izmir Zeqirin nga radhët e PDK-së.

Takimi u mbajt në Zyrë të BE-së.

Ambasadori amerikan ka vazhduar drejt Kuvendit të Kosovës, ndërsa nuk është deklaruar për media.

Brenda Zyrës së BE-së po qëndrojnë ende kryetarët Peci dhe Zeqiri.

10:05 – Qytetarët serb vendosin flamurin e tyre në autoblindë të Policisë

Disa qytetarë, protestues kanë vendosur një flamur të Serbisë në autoblindën e Policisë së Kosovës e cila ndodhet pranë komunës së Zveçanit.

Pas vendosjes së flamurit, përgjegjësi kryesor i ekipeve të KFOR ka dalur për të biseduar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Të njëjtit i ka kërkuar që t’i lejojnë që të sjellin në afërsi të komunës një veturë të KFOR-it që gjendet në fillim të rrugës, pra ta largojnë nga turma.

Lista Serbe është pajtuar me këtë, përderisa KFOR kërkoi që është dy autoblinda të PK-së që po ashtu janë bllokuar në mesin e qytetarëve të sillen në afërsi të komunës, por kjo nuk u pranua nga ana e LS-së.

Më pas, KFOR ka kërkuar që oficerët që gjenden në njërën nga autoblindat e policisë të lejohen të sillen brenda dhe të futen në objektin e komunës, por që prapë edhe për këtë  nuk është marr përgjigje pozitive nga ana e Listës Serbe.

Lista serbe ka pasur më pas një propozim tjetër, ata kanë thënë ‘pse këto automjete (të policisë) nuk kthehen në jug të Mitrovicës’.

Për këtë çështje KFOR ka mbetur që të diskutoj me pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe të vendosen se çfarë do të ndodhë.

10:03 – Takimi me Ambasadorin amerikan, flet kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier ka nisur një takim me dy kryetarë të zgjedhur të komunave në veri të vendit, Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut dhe Ilir Peci, kryetar i zgjedhur i Zveçanit.

Por, në këtë takim, që Ambasadori amerikan e thirri pas situatës së krijuar, nuk po marrin pjesë dy kryetarë të tjerë nga partia Lëvizja Vetëvendosje, Erden Atiq, kryetar i zgjedhur i Mitrovicës së Veriut dhe Lulzim Hetemi, kryetar i zgjedhur i Leposaviqit.

Në një deklarim për KALLXO.com, kryetari i Mitrovicës së Veriut tha se do të ketë një takim së shpejti.

“Do të takohemi së shpejti. Me shumë kënaqësi. Presim mbështetje dhe bashkëpunim” – tha Atiq.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me Lulzim Hetemi, kryetar i zgjedhur i Leposaviqit, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Që nga orët e hershme të së hënës, pranë objekteve komunale janë parë qytetarë serbë të cilët po protestojnë për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në zyrët e tyre.

09:57 Persona të maskuar në mesin e protestuesve në Leposaviq

Ekipi i KALLXO.com po vazhdon të qëndrojë në Komunën e Leposaviqit, atje ku qindra qytetarë serbë janë duke protestuar kundër ardhjes së kryetarit Lulzim Hetemi.

Në pamjet që po transmeton KALLXO.com shihen dhe disa persona të maskuar në mesin e protestuesve.

Persona të maskuar në mesin e protestuesve në Leposaviq

09:30 – Tensionet në veri  Serbët i ndalin fëmijët prej shkollës

Autoritetet e shkollave në veri kanë vendosur që të ndërpresin mësimin në të gjitha institucionet shkollore për shkak të situatës së krijuar atje. Ata përmendën shqetësimet e prindërve dhe rrezikun për sigurinë e fëmijëve si arsye. Ky është informacioni që është përcjellë te prindërit që kanë marrë mesazhe nga mësuesit. Megjithatë, KoSSev nuk ka arritur të konfirmojë informacionin me autoritetet e shkollës.

09:03 – Zeqiri dhe Peci arrijnë në Zyrën e BE-së për takimin me ambasadorin Hovenier

Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci nga PDK arrijnë tek zyra e Bashkimit Evropian për takim me ambasadorin amerikan Hovenier.

08:55 – Hovenier arrin në selinë e Zyrës së BE-së

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka arritur në selinë e Zyrës së BE-së, aty ku i ka ftuar katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës në takim.

 

 

08:20 Policia tërhiqet nga kordoni në Zveçan

Ekipet speciale të Policisë së Kosovës para pak minutash janë tërhequr nga kordoni para komunës së Zveçan. Ata janë futur brenda në komunë për të lënë në perimetër njësitë e KFOR-it të cilat kanë krijuar një kordon që po qëndron para protestuesve të shumt që janë mbledhur.

Pamjet nga kallxo.com

08: 18 Protestuesit tentojnë të futen në komunën e Zveçanit 

Policia e Kosovës, ka njoftuar se protestuesit në e Zveçan, kanë tentuar me dhunë të futen në objekt, duke përdorur gaz lotsjellës e duke u përplasur me policinë.

Sipas njoftimit, policia është detyruar të përdor sprej për t’i larguar ata dhe për ta vënë situatën nën kontroll.

“Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveqanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme, si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”, thuhet në njoftim.

08:02 Kryesia e Listës Serbe po i prinë protestës së qytetarëve në Zveçan

Liderët e Listës Serbe janë vendosur në krye të protestës në Zveçan

Pranë tyre është krijuar kordon i misionit të KFOR. E mbrapa pjesëtarëve të këtij misioni janë edhe kordoni i Policisë së Kosovës.

 

Gazetarja e Kallxo.com raporton se në mesin e protestuesve ka protestues të cilët po mbajnë maska të zeza anti-covid.

07:58  Policia me kordon në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka vendosur një kordon me njësi speciale në hyrje të komunës së Zubin Potok.

Radio Europa e lirë raporton se kordoni është vendosur në shkallët e kësaj komune.

Edhe në këtë komunë KFOR ka shtuar prezencën për të krijuar një distancë në mes qytetarëve dhe policisë.

 

07:42 Eprori Amerikan i kërkon Goran Rakiq ti largoj qytetarët nga rruga

Para pak çastesh në Zubin Potok janë realizuar biseda në mes protestuesve dhe eprorëve të policisë së Kosovës  Majori Shkëlzen Xhafa u ka thënë protestuesve se “Mund të protestoni sa të doni, mirëpo mos sulmoni pjesëtar të KFOR, mos sulmoni pjesëtar të Policisë

Gazetarja e Kallxo.com raporton se diskutime janë zhvilluar edhe në mes Goran Rakiq dhe përgjegjësit të ekipeve të KFOR që gjenden në Zvecan.

“Ne nuk kemi ardhur këtu për juve, kjo ndërtesë nuk është stacion i policisë, kemi ardhur në paqe, nuk kemi ardhur të sulmojmë askënd, ne nuk kemi ardhur këtu për juve. Kontaktoni me shefin tuaj dhe largohuni nga këtu. Dua të me garantoni që ky kryetari i rremë nuk do hyjë në komunë” – ka thënë Rakiqi.

Nga KFOR amerikan më pas është thënë se të gjithë kanë qëllimin e njëjtë, të japim siguri për të gjithë.

“Është e rëndësishme që ta largojmë qytetarët nga këtu, më shumë njerëz, më pak hapësirë, më shumë probleme. Më duhet hapësirë” – tha ndër të tjera kryesuesi i KFOR.

Rakiq tutje ka thënë se mund  kryetari i ri mund të jetë kryetar për familjen e tij, por jo për këta qytetarë.

“Të largohen forcat speciale nga këtu, nëse jo ne jemi këtu. Fëmijët nuk i kemi në shkolla, foshnjat nuk janë në çerdhe. Këtu nuk është stacion i policisë” – tha ai

KFOR tutje ka kërkuar që grupi i qytetarëve të shtyhen deri në pikën e parë të KFOR-it, mirëpo Lista Serbe ka thënë se diçka e tillë nuk mund të realizohet.

Lista serbe ka thënë se nëse dëshironi që të qetësoni situatën duhet t’i largoni këta qytetarë, duhet ta largoni njësinë speciale nga këtu

07:30  Midis kordonit të KFOR-it, deputeti Sali Zyba futet në Komunën e Leposaviqit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje është filmuar tek futet në komunën e Leposaviqit bashkë me kryetarin e kësaj komune.

Deputeti është futur në kohën kur KFOR ka krijuar një kordon me gjemba afër kësaj komune. Serbët lokal tashmë janë mbledhur në afërsi të komunës raporton gazetarja e Kallxo.com.

 

07:24 Pamjet e fundit nga Leposaviq

07: 21 Lista Serbe bashkë me protestuesit

Lideri i Listës Serbe Goran Rakiq është duke qëndruar në afërsi të komunës së Zveçanit ku para pak çastesh kishte një përleshje në mes policisë dhe protestuesve.

Gazetarja e Kallxo.com raporton se në këto momente njëri nga eprorët e policisë major Shkëlzen Xhafa është duke diskutuar me protestuesit të cilët më herët u përleshën me policinë.

Afër komunës tashmë është krijuar një kordon me policë special.

Edhe në komunën tjetër atë të Leposaviqit zyrtarë të listës serbe janë duke i shoqëruar protestuesit. Afër kordonit të policisë është parë Sllavko Simiq dhe ish kryetari i Leposaviqit.

 

07:12 Tensionohet situata në Zveçan, Policia përdorë spray

Protestuesi kanë nisur manifestimet në Zveçan.

Ata kanë kaluar pengesat e KFOR dhe kanë arritur deri afër objektit të komunës ku Policia e Kosovës ka përdorur spray për t`i larguar.

Njësi të shumta të KFOR janë vendosur para komunës së Zveçanit. Të pajisur me mjete mbrojtëse ata kanë bllokuar disa nga rrugët alternative të cilat çojnë në drejtim të komunës.

KFOR ka nisur të marrë kontrollin përreth komunave në veri të vendit që nga mëngjesi i sotëm

 

07:01 KFOR rrethon me tela me gjemba komunën e Leposaviqit.

Gazetarja e KALLXO.com raporton se njësitë e KFOR-it kanë rrethuar me tela me gjemba objektin e komunës së Leposaviqit. Sipas raportueses KFOR është vendosur para njësive të Policisë së Kosovës ndërsa brenda objektit po qëndrojnë Policia e Kosovës.

07:00 – KFOR-i mbikëqyrë situatën në Zveçan

Rrugët alternative që të çojnë tek ndërtesa e komunës së Zveçanit janë duke u mbikëqyrur nga KFOR.

Vërehet se KFOR ka njësi të shumta prezente nëpër rrugët e këtij qyteti, po ashtu vërehen edhe forca të shtuara të Policisë së Kosovës.

KALLXO.com ka tentuar fillimisht që të kaloj në njërë prej këtyre rrugëve, mirëpo ekipi është kthyer mbrapa për të kaluar nga rruga kryesore.

Pamje nga Zveçani
Pamje nga Zveçani
Pamje nga Zveçani
Pamje nga Zveçani
Pamje nga Zveçani

06: 39 – Situata në Zveçan

Pamje nga Zveçani – FOTO KALLXO

Ekipe të shtuara të Policisë së Kosovës, të pajisura me masa të shumta mbrojtëse janë parë në mëngjesin e sotëm në Zveçan.

Ata janë pozicionuar pranë ndërtesës së komunës, ndërsa shumë afër tyre gjenden edhe ekipe të misionit të NATO-s, KFOR.

Rruga që të dërgon në hyrje të komunës është e bllokuar, aty pranë gjenden disa pengesa, derisa gazetarët janë lejuar që të kalojnë në anën tjetër.

 

06:35 – Situata në veri – Pamje

Ekipet e KFOR-it janë pozicionuar në dy pika në afërsi të fshatit Rudar, ndërsa njësi të tjera janë parë deri sa po qarkullonin nëpër rrugët e veriut të Kosovës.

Sot kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe priten që të nisin punët e tyre në zyret e objekteve komunale.

 

 

Ndryshe nga betimet që bën për të udhëhequr qytetarët në komunat Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, kryetarët e rinj të premten e javës së kaluar hynë nën përcjellje të policisë brenda komunave.

Ata fillimisht tentuan njëherë por që u penguan nga dhjetëra qytetarë që ishin mbledhur para objekteve të komunave në shenjë proteste.

Situata u tensionua kur njësitet e policisë nisën që të ofronin siguri për kryetarët që të hynin brenda objekteve të komunës.

Rezistenca e qytetarëve ndaj policisë bëri që këta të fundit të përdornin pajisjet policore për të shpërndarë turmën.

Pesë policë u lënduan nga konfrontimi me qytetarë ndërsa pati edhe vetura të demoluara një veture të policisë iu vu flaka.

Për këtë situatë që u krijua në veri të Kosovës reagimet ishin të shumta.

Ambasada e SHBA me nisjen e javës dhe pritshmërinë që kryetarët të shkojnë e të nisin punën në objektet komunale, ka ftuar në një takim të njëjtit.

 

Ambasadori amerikan i fton në takim kryetarët e komunave të veriut