Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

U kap duke transportuar marihuanë me autobus nga Shqipëria në Kosovë, aktakuzë ndaj të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet G. I., i cili gjendet në paraburgim nën dyshimin për shitblerje të narkotikëve.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 01.12.2023 në pikën kufitare të Vërmicës, saktësisht në hyrje nga Shqipëria në Kosovë, importon substanca narkotike.

Aktakuza përshkruan se i dyshuari pasi siguron narkotikun në një vend të panjohur në Shqipëri, nëpërmjet autobusit të një kompanie turistike, e depërton narkotikun në Kosovë.

Mirëpo, thuhet tutje se në hyrje të kufirit, i njëjti autobus së bashku me pasagjerët selektohet për kontroll të detajuar në vijën e dytë të kontrollit, dhe gjatë kontrollimit të përbashkët në mes të zyrtarëve policor dhe atyre doganor, haset një çantë krahu në vendin ku vendosen valigjet e krahut në pjesën e bagazhit sipër në autobus, dhe sekuestrohet një qese najloni me substancë të dyshuar për narkotikë.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, kjo substancë narkotike pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezulton të jetë e llojit kanabis (marihuana), me peshë të përgjithshme prej 655.97 gram.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”- thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Prizrenit më 20.02.2024