U bllokuan për shkak të mungesës së bordit, OShP nuk do të shqyrtojë mbi 800 ankesa që u kaloi afati
Në muajin qershor, pas më shumë se një viti, Kuvendi i Kosovës arriti të zgjedhur bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, duke funksionalizuar këtë institucion i cili kishte mbetur i bllokuar.
Për gati një vit, në Gjykatën e tenderëve janë deponuar qindra ankesa nga operatorët ekonomikë për tenderë të ndryshëm. Por OSHP ka vendosur që mbi 800 ankesa të deponuara nga kompanitë, e të cilave iu ka kaluar afati, të mos shqyrtohen.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka thënë se 626 ankesa që janë dorëzuar në vitin 2021 dhe 192 të vitit 2022 nuk do të shqyrtohen për shkak të kalimit të afatit ligjor për shqyrtim.
“Tani më OSHP ka bordin e ri i cili ka marrë detyrën dhe është marrë vendim që ankesat e afatshme të shqyrtohen ndërsa të tjerat që ju kanë kaluar afatet ligjore për shqyrtim konform LPP-së të mos shqyrtohen. Nga ankesa 193 e deri në marrjen e mandatit të Bordit janë brenda afateve komfor nenit 117 të LPP-së andaj të njëjtat janë në shqyrtim nga Bordi i ri i OSHP-së”, theksohet në përgjigjen e OSHP-së.
Organi Shqyrtues i Prokurimit është organ i pavarur dhe shqyrton të gjitha ankesat e parashtruara me shkrim nga operatorët ekonomik për proceset e prokurimit. OShP-ja ka kompetencë, autoritet, pushtet dhe përgjegjësi që të shqyrtojnë ankesat nga palët e interesuara lidhur me shkeljet e mundshme të Autoriteteve Kontraktuese dhe si rrjedhojë mund të kërkojë nga Autoritetet që aktiviteti i prokurimit të kthehet në ri-vlerësim dhe të kërkojë nga to që të anulohet aktiviteti i prokurimit si dhe të aprovoj vendimin e Autoriteteve Kontraktuese.