Funksionalizohet OSHP-ja, dy kandidatë që nuk kishin aplikuar në konkurs bëhen anëtarë të bordit

Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit pas 15 muajve që kur ky institucion nuk ishte funksional.

Në bordin e OSHP-së janë zgjedhur edhe Nita Bejta dhe Agon Ramadani, dy prej kandidatëve që Qeveria ia kishte propozuar Kuvendit përkundër faktit që nuk kishin aplikuar fare në konkursin për bordin e OSHP-së.

Përveç tyre, në bordin e OSHP-së janë emëruar edhe Kimete Gashi dhe Vedat Poterqoi Vjosa Mexhuani Gradinaj është zgjedhur kryetare e bordit të OSHP-së. Mexhuani ishte kandidatja më e poentuar nga ekspertët britanikë në konkursin e parë, por i cili kishte dështuar.

Konkursi për kryetar dhe anëtarë të bordit të OShP-së është zhvilluar pa asistencën e ekspertëve britanikë. Ambasada britanike ishte tërhequr nga ky proces pasi Kuvendi kishte dështuar dy herë të votonte kandidatët e përzgjedhur në bashkëpunim me ekspertët britanikë.

Qeveria e kishte rishpall konkursin për bordin e OSHP-së. Pas përfundimit të shortlistimit, Qeveria kishte vendosur që Kuvendit t’ia propozojë edhe tre emra që nuk kishin aplikuar fare: Nita Bejtës, Agon Ramadanit dhe Milot Spahiut.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kishte thënë për KALLXO.com se Qeveria ka respektuar poentimin e bërë nga komisioni vlerësues duke nominuar disa persona të përzgjedhur nga komisioni vlerësues dhe ka shtuar edhe disa të tjerë, sipas diskrecionit të vet. Ai kishte thënë se kjo është në përputhje me ligjin e Prokurimit.

Procesi i intervistimit të kandidatëve

Pasi ishte dërguar lista me kandidatë tek Kuvendi, bazuar në Ligjin e Prokurimit ishte themeluar komisioni vlerësues i përbërë nga: Rrustem Thaçi, gjykatës në Gjykatën Supreme, Franciska Zhita, gjyqtare nga Gjykata e Apelit dhe Nikola Petronieviq gjyqëtar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese e ka monitoruar procesin e intervistimit të nëntë kandidatëve që ka zgjatur tri ditë. Pas intervistimit Vjosa Gradinaj Mexhuani është renditur e para në listë me 13.1 pikë duke u rekomanduar për pozitën e kryetares së bordit të OShP-së; Nita Bejta është vlerësuar me 11.7 pikë; Kimete Gashi me 11.53 pikë; Vedat Poterqoi me 11.36 pikë; Agon Ramadani me 10.66 pikë.

Nga komisioni vendor të gjithë kandidatëve u është dhënë kohën e barabartë për t’u përgjigjur si dhe atyre u janë parashtruar pyetjet e njëjta. Pyetjet në intervistë kanë qenë të ndara në tre pjesë dhe u janë bërë të njëjta të gjithë kandidatëve përvec në raste kur gjyqtarët kanë vlerësuar se kandidati nuk është përgjigjur ‘drejt’ në pyetje, i është përsëritur.

Poentimi i kandidatëve është bërë në mënyrë autonome nga komisioni pa diskutuar ndërmjet vete për pikët e dhëna. Ky komision vlerësues, pas përfundimit të intervistimit të kandidatëve nuk ka komentuar me zë ndonjë gjë në lidhje me intervistën.

Gjyqtarët në heshtje kanë vlerësuar në formularët përkatës kandidatin dhe më pas i kanë futur në zarfe dhe i kanë mbyllur. Kjo mënyrë sekrete e vlerësimit ka vazhduar për tre ditë me radhë, ndërsa në ditën e tretë, në ditën fundit të intervistimit, kryetari i komisionit ka hapur të gjitha zarfet dhe ka lexuar formularët e vlerësimit.

Por, gjatë leximit të pikëve nuk është cekur se cilit nga anëtarët e komisionit vlerësues i përket formulari i vlerësimit. Pra, monitoruesi nuk ka pas informacione se cili anëtarë i komisionit vlerësues sa pikë ja ka dhënë kandidatëve.

Bllokada e ‘Gjykatës së Tenderëve’

Mungesa e bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit ka bllokuar këtë institucion për më shumë se një vit, dëmet nga kjo bllokadë kapin shifrat e qindra milionë eurove.

Deri në fund të muajit mars të këtij viti  janë grumbulluar gjithsej  704 ankesa të kompanive kundër institucioneve, që kërkojnë zgjidhje në OSHP. Derisa vlera e projekteve të cilat janë bllokuar në OSHP ka shkuar mbi 200 milionë euro për shkak të mungesës së bordit, organ ky që vendos për ankesat e kompanive.

Që nga koha kur OSHP ka mbetur pa bord funksional, është tentuar dy herë të zgjidhen anëtarët e bordit të ri. Për herë të parë, procesi nuk kishte shkuar deri në fund ndërsa për herën e dytë, zgjedhja e anëtarëve të bordit të OSHP-së ka dështuar në Kuvendin e Kosovës.

Por, si kishte dështuar votimi i bordit të OShP-së?

Tentativat për ta funksionalizuar bordin ishin bërë me hapjen e konkursit më 26 maj, por në Kuvend më 6 dhjetor përfundimisht dështoi procesi i emërimit të kryetarit dhe anëtarëve të këtij bordi. Votimi dështoi për dy herë radhazi. Herën e parë dështoi më 23 nëntor për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa më 6 dhjetor dështoi emërimi i tyre pasi ishin vetëm dy vota për, 64 kundër dhe një abstenim.

KALLXO.com ka raportuar për dallimet në poentimin e kandidatëve për anëtarë të bordit të OShP-së në mes tre gjyqtarëve vendorë dhe përfaqësueseve të Ambasadës britanike që kanë marrë pjesë në vlerësim. Asnjë grua nuk është rekomanduar për të qenë pjesë e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit nga komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë: Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Nenad Laziq nga Gjykata e Apelit dhe Mejreme Memaj nga Gjykata Supreme.

Për dallim nga gjyqtarët, përfaqësuesit e projektit të Ambasadës së Britanisë që kanë asistuar në këtë projekt, kanë vlerësuar se dy gra i plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e bordit të OShP-së, që njihet si Gjykata e Tenderëve. Vjosa Gradinaj-Mexhuani, njëra prej kandidateve të emërueshme, ishte më e poentuara nga ekspertët britanikë në mesin e 20 kandidatëve të intervistuar.

Prej britanikëve për anëtare të bordit është rekomanduar edhe kandidatja Shqipe Hoti. Dallime në poentim kishte edhe te kandidatët e tjerë, gjë që është reflektuar edhe në listat finale të dorëzuara nga dy komisionet vlerësuese që kanë dallime të mëdha. Pas dështimit të votimit të kandidatëve të propozuar në Kuvendin e Kosovës dhe shpalljes së konkursit tjetër, Ambasada britanike në Kosovë nuk i asistoi Qeverisë së Kosovës në procesin e rekrutimit të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit në dhjetor të vitit të kaluar.

Organi Shqyrtues i Prokurimit është organ i pavarur dhe shqyrton të gjitha ankesat e parashtruara me shkrim nga operatorët ekonomik për proceset e prokurimit.

OShP-ja ka kompetencë, autoritet, pushtet dhe përgjegjësi që të shqyrtojnë ankesat nga palët e interesuara lidhur me shkeljet e mundshme të Autoriteteve Kontraktuese dhe  si rrjedhojë mund të kërkojë nga Autoritetet që aktiviteti i prokurimit të kthehet në ri-vlerësim dhe të kërkojë nga to që të anulohet aktiviteti i prokurimit si dhe të aprovoj vendimin e Autoriteteve Kontraktuese.