Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

KEK-u njofton se ka fituar rastin në OSHP: Projekti A3 vazhdon

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se ka marrë Vendim pozitiv nga Organi Shqyrtues i Prokurimit për Projektin e rehabilitimit dhe modernizimit të Njësisë A3 të Termocentralit Kosova A – Projekt ky që parashihet të ketë vlerë prej 137,000,000 eurove.

KEK-u njofton se OSHP hodhi si të palejuar Ankesën e palës ankuese, ka lejuar vazhdimin e procedurës dhe ka konfirmuar ligjshmërinë e veprimeve të KEK-ut.

“KEK do të vijojë me përkushtim të palëkundur për realizimin e këtij Projekti kapital, i domosdoshëm për të ardhmen energjetike të vendit.” – thuhet mes të tjerash në Njoftimin e KEK-ut.

Tutje thuhet se gjithçka do të zhvillohet me transparencë të plotë, në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik si dhe dokumentacionin teknik të hartuar me konsulencën e USAID-it.

Kjo Korporatë ka njoftuar se planifikon që më 17.07.2025, në ora 13:00, të bëhet hapja zyrtare e aplikimeve të Operatorëve Ekonomik në platformën E-prokurimi, që do të ketë edhe transmetim të drejtëpërejtë në rrjetin social të KEK-ut.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) më 04.07.2025 ka njoftuar se Projekti kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3 në Termocentralin Kosova A” është pezulluar përkohësisht, si rezultat i një Ankese të paraqitur nga një Operator Ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

“Ky është një mekanizëm standard ligjor, i aplikueshëm për të gjitha institucionet publike dhe nuk përbën as rastin e parë, as të fundit të pezullimit të përkohshëm të një aktiviteti për arsye procedurale. Lidhur me këtë, Zyrtari i Prokurimit (ZEP) më 02.07.2025 ka dorëzuar në OSHP Kërkesën për heqjen e obligimit për pezullim sipas Nenit 112 Paragrafi 2. LPP.” – thuhej në Njoftimin e KEK-ut, më 04.07.2025.