Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tri raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona nën dyshimin për dhunë në familje në tri raste të ndryshme në 24 orët e fundit.

Njëri rast i dhunës në familje ka ndodhur në Deçan, tjetri në Kaçanik dhe rasti tjetër në Zubin Potok.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një burrë nën dyshimin për dhunë në familje. Ngjarja kishte ndodhur dje në orët e para të mëngjesit në Deçan.

Në njoftimin e policisë thuhet se i dyshuari kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas së tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunës në familje po ashtu ka ndodhur në Kaçanik rreth orës 19:00. Policia ka njoftuar se ka arrestuar një burrë i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshje me gruan e tij, e ka rrahur këtë të fundit.

Për shkak të dhunës, viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimet për rastin po vazhdojnë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një burrë i cili dyshohet se nën ndikimin e alkoolit kishte ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.

“Të dyshuarit ju ka bërë alkool testi dhe ka rezultuar 2.06 promil”, raporton policia.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 17:00 në fshatin Pridvoricë të Zubin Potokut.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. Sipas Policisë, hetimet për rastin vazhdojnë.