Tomë Gashi: Disa prej shokëve më të afërt të Astrit Deharit janë në pozitat më të larta shtetërore

Po bëhen 7 vjet prej kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, e që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.

E pak ditë para përvjetorit të Deharit, avokati i familjes së tij, Tomë Gashi ka reaguar lidhur me disa deklarime që janë dhënë për këtë rast.

Gashi tha se disa prej shokëve më të afërt të Astrit Deharit janë në pozitat më të larta shtetërore dhe sipas tij disa që kritikoheshin më së shumti në kohën e vrasjes së Astrit Deharit akoma mbajnë disa prej pozitave më të larta në Policinë e Kosovës.

“Madje, njëri prej tyre kishte deklaruar se ‘Astrit Dehari kishte përdorur disa medikamente dhe kishte rënë në gjendje kome, e më pas, gjatë rrugës për në emergjencë, kishte ndërruar jetë” – ka shkruar Gashi.

Ai tutje tha se këto deklarime janë demantuar menjëherë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ndërsa, Gashi shtoi se sipas personit që ka bërë këtë deklaratë, informatën e kishte marrë nga ish drejtori i Burgut të Prizrenit.

“Për këto dezinformime të qëllimshme – për ta mashtruar opinionin publik – nuk ka dhënë përgjegjësi askush. Më 05.11.2023 bëhen 7 vite nga vrasja e Astrit Deharit” – tha Gashi.

Misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishin rritur edhe më shumë me ekspertizën e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Që nga ajo kohë hetimi në rastin Dehari kishte marrë një kahje tjetër, pasi rasti kaloi në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re.

Në lidhje më këtë ekspertizë, PSRK me anë të një njoftimi dha shkurtimisht detaje për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Përpos ADN-së, prokuroria njoftoi opinionin se në analizat toksikologjike nuk ka prani të etanolit.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mosprani të etanolit” – thuhej tutje në njoftim.

Më 8 dhjetor 2022 Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në konferencë për media kishte bërë të ditur se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

“Që nga tetori i vitit 2021 nuk kanë kontrolluar nëse janë mostrat, sepse kështu e kanë sistemin dhe tek dje në momentin qe e kanë bërë bartjen e tyre e kanë kuptuar që mungojnë” – kishte thënë Haxhiu teksa kishte shtuar se nuk ka dyshime se kjo është bërë me forcë.

Ministria e Drejtësisë më pas njoftoi se kishte pezulluar nga puna katër zyrtarë të IML-së në lidhje me rastin, ata ishin kthyer në punë në shkurt të këtij viti.

6 vjet nga vdekja e Astrit Deharit