Thaçi kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjatjen e mandatit të Gjykatës Speciale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’ua zgjasin mandatin Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Këtë kërkesë presidenti e ka bërë të ditur në një adresim qytetarëve të Kosovës.

Thaçi ka thënë se beson se deputetët do ta përkrahin këtë iniciativë të tij.

“Politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi dhe as drejtësia në politikë. Kjo ishte bindja ime në çdo hap të mbështetjes për krijimin e gjykatave ndërkombëtare dhe paneleve speciale në këto njëzet vitet e fundit. Kjo vazhdon të jetë bindja ime edhe tash kur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës po kërkoj që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kemi nevojë për qartësi sa i përket mënyrës sesi mbyllen Dhomat e  Specializuara, prandaj besoj se deputetët do ta përkrahin këtë iniciativë timen”, ka thënë presidenti.