Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tentim vjedhje në Graçanicë, vetura e të dyshuarve gjendet më vonë nga Policia

Policia e Kosovës ka njoftuar se në mëngjesin e hershëm të ditës së djeshme tre persona të panjohur me veturë kanë tentuar të kryejnë vjedhje në Graçanicë.

Mirëpo, sipas Policisë të njëjtit pasi kanë vërejtur rojën kanë ikur në drejtim të panjohur.

Duke iu referuar raportit të Policisë, ngjarja thuhet se ka ndodhur në fshatin Llapnasellë, dje rreth orës 04:15.

Tutje Policia ka thënë se njësitet patrulluese më vonë kanë gjetur të braktisur veturën e dyshuar.

“Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet përkatëse policore dhe rasti është duke u hetuar”, ka thënë Policia.

Një vepër e tillë dënohet në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Neni 28 i këtij kodi thotë se kushdo që me dashje ndërmerr veprime për kryerjen e veprës penale por vepra nuk është kryer ose elementet e veprës penale nuk janë realizuar, konsiderohet se ka tentuar të kryejë vepër penale.

“Tentativa për të kryer vepër penale për të cilën mund të shqiptohet dënimi me tre ose më shumë vjet burgim dënohet. Tentativa për të kryer ndonjë vepër penale tjetër, dënohet vetëm nëse shprehimisht parashihet me ligj”, thuhet tutje në Kodin Penal.

Tutje tregohet se personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, por dënimi mund të zbutet.