Szunyog: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, reformat duhet zbatuar që të plotësohen kushtet

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Kosovës për Politika Europiane, kanë prezantuar Barometrin e reformave të Bashkimit Europian, në të cilin prezent ishte edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Szunyog ka thënë se e ardhmja e e Ballkanit Perndërmor është në BE dhe se reformat duhet të zbatohen në mënyrë që të plotësohen kushtet.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, këto nuk janë fjalë boshe, rruga për në BE është e gjatë dhe e komplikuar. Shtrirja në BE duhet të bëhet me meritë. Anëtarësimi i njëjtë për të gjithë, reformat duhet të zbatohen në mënyrë që të plotësohen kushtet, reformat fillojnë nga gjyqësori i pavarur. Kosova duhet t’i shtoj kapacitetet e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të hetojë krimin e zyrtarëve të lartë”- ka deklaruar Szunyog.

“Periudha që na pret është me rëndësi për të arritur më tutje, Qeveria duhet ta shtyjë Kosovën në reforma vendimtare në përforcimin e ligjit dhe forcimin ekonomik“- shtoi ai.

Carin Lobbezo, ambasadore e Holandës në Kosovë, tha se Kosovën e pret një rrugë e gjatë deri në anëtarësim në BE, duke shtuar se janë mjaft të angazhuar në këtë drejtim.

“Kosovën e pret një rrugë e gjatë deri në anëtarësim, duke e mbështetur këtë ambicie, ne jemi mjaft të angazhuar në këtë drejtim. Ky barometër nuk është vetëm interes i qeverisë dhe shoqërisë civile por është interes i të gjithë qytetarëve”- tha Lobbezo.

Kurse Arbresha Loxha, drejtoreshë e GLPS-së, tha se e kanë parë të rëndësishme që të rikthejnë aty vëmendjen e qeverisë por edhe të opinionit publik, duke përfshirë obligimet që qeveria ka marrë në këtë drejtim.