Enver Sekiraqa në gjykatë (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Supremja vërteton paraburgimin ndaj Enver Sekiraqës

Gjykata Supreme e Kosovës e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilën Enver Sekiraqës i ishte vendosur masa e paraburgimit. Gjyqtar Agim Kuçi e kishte lënë të mbrohet në liri më 03.05.2024 kur e kishte shpallur dënimin me 25 vite burgim për shtytje në vrasje të Triumf Rizës në vitin 2007.

Kur ishte lënë në liri nga Kuçi, Prokuroria ishte ankuar në Gjykatën e Apelit. E njëjta kishte vendosur ndryshe nga shkalla e parë, pra që Sekiraqa të shkonte në paraburgim.

Ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të 17.05.2024 me të cilën është vendosur që Sekiraqa të kthehet në paraburgim, ankesë kishte parashtruar avokati i tij Besnik Berisha. Këtë ankesë të avokatit Berisha, Supremja e ka gjetur si të pabazuar.

Kjo gjykatë ka vlerësuar se ka bazë ligjore për përcaktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh edhe lartësinë e dënimit, të cilën e ka cilësuar si rrethanë që tregon rrezikun që i pandehuri të ikë, apo ta pengojë rrjedhën normale të procedurës.

“Kjo gjykatë konsideron se masat tjera respektivisht mbrojta në liri do të ishte e pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurën penale dhe se pretendimet ankimore të mbrojtësit nuk janë të bazuara. Edhe sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, caktimi i paraburgimit si masë e sigurisë për praninë e tij në procedurë dhe përfundimin e papengesë të saj, është i drejtë dhe i bazuar në ligj.” – përshkruhet në vendimin e Gjykatës Supreme të nxjerrë më 29.05.2024.

Vendimi i Supremes u mor nga gjyqtarët Mejreme Memaj – kryetare e kolegjit, Agim Maliqi dhe Rasim Rasimi – anëtarë.

Lidhur me heqjen e arrestit shtëpiak dhe lënien në liri të Sekiraqës gjyqtarit Agim Kuçit i ishte shqiptuar masa e suspendimit deri në një vendim tjetër nag Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në shpalljen e aktgjykimit  kur u dënua për herë të tretë me datë 03.05.2024, Sekiraqa nuk ishte prezent në sallë.

I pranishëm gjatë shqiptimit të dënimit ishte babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza.

Vendimi ishte marrë nga trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, i kryesuar nga Agim Kuçi dhe me anëtarët – Ngadhnjim Arrni e Medije Bytyqi.

Kjo përbën herën e tretë që Sekiraqa dënohet për urdhërimin e vrasjes së Rizës 17 vite më parë. Për herë të parë në vitin 2016 Sekiraqa ishte dënuar me 36 vite burgim kurse sërish në vitin 2019 me 20 vite burgim.

Policia e Kosovës më 23.05.2024 ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen dhe arrestimin e Enver Sekiraqës, pasi që nga 17.05.2024 vazhdon të mbetet i paarritshëm për organet e rendit dhe drejtësisë.

Policia ka publikuar fotografinë e tij dhe të dhënat, duke e kërkuar si të dënuar për veprën penale “shtytje në kryerjen e vrasjes së rendë”, në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor ose nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, të gjitha thirrjet në numrin 080019999 janë anonime, pa pagesë dhe konfidenciale. Ju mund të dërgoni informatat e juaja edhe në adresën elektronike [email protected]” – kishte apleuar Policia më 23.05.2024.

Dorasi i shpallur fajtor për vrasjen e Rizës është Arben Berisha, i cili për këtë vepër u dënua me 35 vjet burgim.