Foto: KALLXO.com

Mungon avokati Besnik Berisha, dështon seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e zyrtarit policor në ahengun në Zllatar

Në mungesë të avokatit Besnik Berisha, i cili përfaqëson palën e dëmtuar, seanca e cila ishte paraparë të mbahej sot, më 11.06.2024, në Gjykatën e Prishtinës ndaj të akuzuarit Fatlum Mehmeti është shtyrë për datë tjetër.

Mehmeti nga Prokuroria po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta kolegun e tij zyrtar policor, Lirim Haxholli.

Mungesën e avokatit Besnik Berisha e ka konfirmuar kryetari i trupit ,gjykues gjyqtari Ertan Sejfulla, në fillim të seancës.

Pala e dëmtuar i propozoi trupit gjykues që seanca e ditës së sotme të shtyhet për datë tjetër sepse prania e avokatit të tyre është e domosdoshme në seancë.

“Ne si palë e dëmtuar sot jemi njoftuar prej avokatit tonë se nuk mund  të jetë prezent në seancë. Kërkojmë që seanca të mos mbahet sot, sepse prania e avokatit tonë është e domosdoshme”.

Këtë propozim të palës së dëmtuar e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Labinot Buzuku.

“Ne i kërkojmë Gjykatës që kjo seancë të mbahet, pasi që pala e dëmtuar e ka prezent prokurorin, si dhe i akuzuari nuk e meriton që seanca të shtyhet për një kohë kaq të gjatë, si edhe shtyrja e seancës shkon në dëm të të mbrojturit tim” – tha avokati Labinot Buzuku.

Ndërsa prokurori i rastit, Arben Hoti, lidhur me propozimin e palës për shtyrjen e seancës deklaroi se  interes primar është gjykimi i çështjes për palën e dëmtuar, e më pas mund të vijë në shprehje ndonjë interes tjetër.

Tutje, trupi gjykues mori vendim qe seanca e ditës së sotme të shtyhet si dhe obligoi avokatin Besnik Berisha të sjellë vërtetimin e trajtimit mjekësor.

Çka thuhet në aktakuzë?

Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com, i akuzuari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, i vetëdijshëm se manipulimi me armë paraqet rrezik, në prezencë të shumë personave e në ambient të mbyllur ka manipuluar me armën zyrtare.

I akuzuari Fatlum Mehmeti ngarkohet me veprën penale të vrasjes me dashje eventuale.

Çka nënkupton dashja eventuale sipas Kodit Penal?

“Personi vepron me dashje eventuale kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj”.

Dënimi sipas Kodit Penal për kryerjen e kësaj vepre penale është jo më pak se pesë (5) vjet burgim.

Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë ndërsa të tjerët që ishin prezentë në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.

Përveç arrestimeve dhe suspendimeve ishin sekuestruar edhe 14 armë zyrtare të policëve të cilët kishin qenë pjesë e ahengut.

Lidhur me këtët rast, është ngritur edhe një aktakuzë ndaj 14 zyrtarëve policorë të cilit kishin qenë prezentë në momentin kur kishte ndodhur ngjarja e 18.02.2022, në fshatin Zllatar të komunës së Prishtinës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit F. A., E. I., B. M., E. Th. dhe G. T., më 18.02.2022, rreth orës 22:00, në fshatin Zllatar të Prishtinës, në një vilë në këtë fshat, në të cilën kishin organizuar një aheng privat, jashtë detyrës zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat për autorizimet e Policisë dhe përdorimin e armës të parapara në Ligjin për Policinë.

Sipas aktakuzës, të njëjtit dyshohen se kanë shtënë me armë zyrtare duke përdorur municion jozyrtar, gjersa ishin në tarracën e vilës ku zhvillohej ahengu.

Me këtë, secili prej tyre individualisht sipas Prokurorisë e kanë kryer veprën penale – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, dhe -shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Ndërsa, të pandehurit A. B., Xh. B., A. M., A. A., A. Z., I. S., Rr. A., V. Rr. dhe A. M., nuk i kanë lajmëruar veprat penale të lartcekura, nuk i kanë raportuar të shtënat me armë zjarri të bëra nga kolegët e tyre-të pandehurit gjatë ahengut ku kanë qëndruar së bashku, andaj me këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale – moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.