I mbijetuari i masakrës së Srebrenicës: Kur nisi lufta e bëmë një listë me emra të burrave e djemve sepse e dinim që do t'i vrisnin

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë dhe njëherësh i mbijetuar i masakrës së Srebrenicës, Emir Sulagiq, ka rrëfyer që në kohën sa ishte ushtria holandeze në Bosnje, e kishin bërë një listë me emra të burrave dhe djemve dhe ia kishin dorëzuar komandantit të asaj ushtrie.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka rrëfyer se këtë e kishte bërë nisur nga përvoja që kishte në vitin 1992, kur i kishin vrarë shumë pjesëtarë të familjes.

“Ishin edhe ushtarët holandezë atje, e deri në fund të ditës, 11 korrik, ishin diku nja 5-6 mijë njerëz brenda. Herët në mëngjesin e 12 korrikut, kuptuam, unë e kuptova, e dija që nga fillimi në fakt, sepse pak a shumë e gjithë familja ime ishte vrarë tashmë në vitin 1992. Pra, e dija. Kishin ardhur serbët, u kishin thënë mirë, do t’ju evakuojmë e t’ju çojmë me autobusë, i kishin bartur nja 30 kilometra, i kishin ndarë burrat dhe djemtë, duke i lënë gratë e fëmijët të kalonin, i kishin mbajtur burrat në një kamp për nja një muaj, e pastaj i kishin pushkatuar të gjithë” – tha Sulagiq.

“Mëngjesin e 12 korrikut, kur hynë serbët, nuk e di as se si ka ndodhur, por në një moment, thoshim, të dalim rrotull e të shkruajmë emrat e të gjithë burrave e djemve që janë këtu, e të marrim atë listë e ta çojmë, edhe e kemi bërë këtë, te zëvendëskomandanti i Batalionit Holandez, që quhej Major Robert Franken. I thamë Z. Franken, kjo është lista e burrave dhe djemve në këtë bazë, a mund të siguroheni që kjo listë të shkojë diku jashtë nga këtu, në mënyrë që njerëzit ta dinë, e edhe serbët ta dinë, që emrat e tyre janë të regjistruar: kjo ishte ideja pra, që serbët do të mendonin dy herë para se t’i vrisnin, sepse bota do ta dinte, sepse bota e dinte” – vazhdon tutje rrëfimin e tij Sulagiq.

I mbijetuari i masakrës së Srebrenicës ka treguar se komandanti i ushtrisë holandeze i kishte premtuar se listën me emra do ta dërgonin në OKB.

“Si dhe ata premtojnë, ky person na premton, që ai do ta dërgonte listën te Selia e OKB-së në Gjenevë, Nju-Jork, apo kudoqoftë, në Sarajevë, Zagreb, kudoqoftë, e pastaj, mirë pra, menduam, kishim shkruar një Listë Shindleri, pra do të shpëtonin, do të dilnin gjallë. Pastaj, shkuam në Zagreb, Hasan Muhanoviq, unë, si dhe disa të tjerë. Shkuam në Selinë e OKB-së, si dhe kërkuam listën, edhe të gjithë na thoshin: Çfarë liste? Doli që ajo listë nuk kishte dalë asnjëherë nga Potoçari. Ishte gjetur diku në një sirtar, diku në një dollap të selisë së OKB-së në Zagreb, në gusht të vitit 1995″ – ka shtuar ai.

Në korrikun e vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8 mijë burra e djem myslimanë.

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, 11 Korriku, tashmë është shënuar në kalendarin zyrtar në faqen e OKB-së. Kjo pasoi pasi rezoluta u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 23.05.2024. Për Rezolutën votuan 84 vende, 19 ishin kundër, ndërsa 68 abstenuan. Kalendari zyrtar i OKB-së e rendit 11 Korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë”.

Ndryshe Suljagiq qëndroi në Kosovë për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës si dhe ishte pjesë e hapjes së ekspozitës “Reportig House”.

Njëzet e pesë vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, Sulagiq ka ardhur në Kosovës për ekspozitën “Reporting House”, e cila ofron një pasqyrim të hollësishëm të luftës europiane që përmbylli shekullin e 20-të.

BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, prezantojnë punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefaktet e kohës, të shoqëruara me vepra të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës.

Ekspozita e “Reporting House” u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë
e saj në vitin 2008. Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie.

Publiku ftohet që ta kuptojë më tej historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, ndërsa ekspozita është e hapur për bashkëpunim për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Ekspozita prezanton vepra të artistëve që vinë prej vendeve të ndrsyhme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosna dhe Hercegovina, Laura Imami dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinjë si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll)
dhe Frontline News Television. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.

Kontribuesit në këtë ekspozitë janë Jeremy Bouen, Ben Broun, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin,Eliza Hoxha, Paul Love, Max Stahl, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andru Testa, Pal S. Refsdal, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Donika Shahini, Vaughan Smith, Nora Ueller, Sean Uhelan, Goran Tomaseviq, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Srebrenica Memorial Center, Anibar and Oral History Kosovo.

Sfidat me të cilat u përballën gazetarët që mbuluan luftën në Kosovë rezonojnë edhe sot e kësaj dite, kur këtyre gazetarë ju duhet të mbulojnë luftërat në Ukrainë, Gaza, Sudan e Etiopi duke u përballur me propagandën dhe dezinformimin e zmadhuar nga mediat sociale.

Reporting House është hapur në Shtëpinë e Mallrave të Prishtinës “Gërmia”, që për herë të parë u shndërrua në hapësirë kulturore. Këtu dhe në dy hapësira tjera, në Hamamin e Prishtinës dhe Paper Gallery, Reporting House synon të krijojë ambient për përsiatje, dialog dhe katarzë, duke e nderuar kujtimin për ata që kanë
pësuar nga lufta në Kosovë dhe avokon për një të ardhme të paluftë.

Ekspozita është realizuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi. Pjesa më e madhe e materialit televiziv arkivor dhe artifakteve janë dhuruar nga Vaughan Smith nga Frontline News Television që punoi në Kosovë në 1998-1999.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në mes të shtatorit.