Enver Sekiraqa në gjykatë (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Konfirmon policia, Enver Sekiraqa i paarritshëm

Ndonëse Gjykata e Apelit më 17.05.2024 ka marrë vendim për ta kthyer në paraburgim Enver Sekiraqën, ai deri në këto momente nuk gjendet në asnjërën nga qendrat e paraburgimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

KALLXO.com mësoi fillimisht nga burime brenda ShKK-së se Sekiraqa ende nuk është paraqituar për t`u kthyer në paraburgim edhe pse Apeli vendosi për një gjë të tillë.

Në anën tjetër Policia e Kosovës për KALLXO.com ka thënë se tashmë Sekiraqa u kërkua dy herë dhe nuk u gjet në shtëpi. 

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë”- thuhet në përgjigjen e policisë për KALLXO.com. 

Tutje të njëjtit kanë thënë se meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njejti nuk është hasur në shtëpi.

“Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kan kërkuar të njejtin, por nuk e kan hasur në shtëpi”- vazhdon tutje përgjigja e policisë. 

Në anën tjetër të njëjtit kanë thënë se veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë.

“Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”- thotë policia.

Dënohet për herë të tretë Enver Sekiraqa

Më 03.05.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite dënim me burgim për rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.

Në shpallje të Aktgjykimit, gjyqtari Agim Kuqi e kishte liruar nga masa e arrestit shtëpiak Enver Sekiraqën, por Apeli më datë 17.05.2024 vendosi që Sekiraqa duhet të kthehet në paraburgim.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka tentuar që të marrë edhe një konfirmim për klientin e tij, Kosovare Kelmendit për ta pyetur nëse e kanë pranuar vendimin për kthimin e Sekiraqës në paraburgim, por e njëjta ka qenë e paqasshme deri në publikimin e këtij artikulli.

Sekiraqa më 03.05.2024 ishte liruar të mbrohej në liri por që tashmë i njëjti me vendimin e Apelit duhet të kthehet në paraburgim derisa aktgjykimi i Themelores të marrë formën e prerë.

Vrasja e Triumf Rizës, Sekiraqa me vendim të Apelit kthehet në paraburgim

Plot 17 vite më parë në Prishtinë, në moshën 27 vjeçare ishte vrarë polici i forcave speciale, Triumf Riza.

Dorasi për vrasjen e Rizës, Arben Berisha, është shpallur fajtor dhe dënuar me 35 vite burgim. Mirëpo ajo çka rezultoi të jetë sfiduese për drejtësinë është marrja e një verdikti lidhur me akuzat për shtytjen në këtë vrasje.

Në gjykim e dy rigjykime më pas, Enver Sekiraqa për herë të tretë është dënuar për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës, kësaj here me 25 vite burgim.

Vendim ky i marrë më 03.05.2024 nga trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda i kryesuar nga Agim Kuqi, me anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyqi.

Gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës i nisur në vitin 2014 ka rezultuar me dy dënime të deritanishme. Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vite burgim, kurse me 30 vite burgim në vitin 2019.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007. Sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Ani pse gjykimi ishte zhvilluar dy herë të tjera, në gjykimin e tretë që iu bë Sekiraqës dëshmuan dy dëshmitarë të paftuar më parë.

Njëri nga ta ishte shoku më i afërt i viktimës, Arben Selmanaj, i ftuar për herë të parë nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar për vrasjen e shokut të tij e të rrëfej për konfliktet në të cilat edhe vet kishte qenë subjekt.

Dëshmitari i fundit që u dëgjua ishte Gjon Kqira, i ftuar nga mbrojtja. Kqira ishte ai i cili rrëfeu versionin e tij për atë se çka ndodhi pas natës së shumëpërfolur të incidentit në “Swiss Casino”.

Kujtojmë se vetëm në gjykimin e fundit ndaj Sekiraqës janë ndërruar mbi katër Prokurorë të cilët kanë përfaqësuar rastin, Burim Qerkini duke qenë i fundit e që i kanë paraprirë Shpëtim Peci, Merita Bina Rugova e Haki Geci.

Raportimet e KLLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK