Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sulmohet nga qentë endacakë djali i deputetes Mimoza Kusari- Lila

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila ka njoftuar se djali i saj ka qenë pre e sulmit të qenve endacakë në afërsi të shkollës së tij.

“Sot cak i një sulmi nga qentë endacakë ishte djali ynë Edoni, 9 vjeçar, në afërsi të shkollës së tij “Ismail Qemali” në Bregun e Diellit në Prishtinë. Sulmi ndodhi në mes të ditës, ora 1:15 mesditë, derisa djali ishte duke hyrë në oborrin e shkollës. Reagimi i mësuesës, drejtoreshës dhe pastaj emergjencës ka qenë i menjëhershëm dhe pas intervenimit kirurgjik (qepjes) në Emergjencë, Edoni është duke u trajtuar në shtëpi. I falenderoj me radhë të gjithë që sot ishin me Edonin pas sulmit që i ndodhi”, ka shkruar ajo në facebook.

“Problemi që sot preku edhe familjen tonë, ka prekur qindra familje në mbarë Kosovën, jam shumë e vetëdijshme për këtë. Është i domosdoshëm trajtimi përmbajtësor i problemit të qenve endacakë. Problemi i rrugës nuk mund të jenë qentë endacakë, por mënyra se si njerzit i trajtojnë ata”, ka theksuar ajo.

Deputetja Kusari-Lila ka kërkuar nga institucionet përkatëse që të merren me këtë dukuri për trajtimin e qenve.

“Apeloj dhe lus të gjitha nivelet e vendimarrjes, mos të lëmë fëmijët të rritën me frikën e daljes në rrugë dhe urrejtjen ndaj kafshëve. Të ngrisim vëmendjen për trajtimin e qenve të pastrehë dhe trajtimin e mëtutjeshëm të tyre”, ka shtuar ajo.