
Adriatik Stavileci, Dogana e Kosovës
Stavileci tregon për sasinë e arit të gjetur në xhepa të qytetarëve
Sikurse telefonat edhe mallrat e çmuara llogariten si mallra lehtë të kontrabandueshme për shkak të madhësisë dhe vlerës së tyre.
Kontrabandimi me to llogaritet se vendit i sjellin dëme të mëdha brenda vitit.
Sipas përfaqësuesit të Doganës së Kosovës ka pasur raste kur qytetarëve u janë gjetur deri në 3 kilogramë ar në xhepa.
Këto të dhëna i bëri të ditura Adriatik Stavileci në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u fol për kontrabandimin e telefonave dhe gjërave të çmueshme.
“Kemi pasur konfiskime të materialeve të çmueshme deri në 100 kg brenda një qyteti por prapë këtu janë disa problematika. E para është që te ne nuk funksionin mirë sistemi i vulosjes së arit, në mënyrë që Dogana të konstatojë se cila vulë është e doganuar e cila nuk është e doganuar”, tha Stavileci.
Ai shtoi se ka pasur raste kur ari është gjetur duke u kontrabanduar nëpër xhepa.
“Kemi pasur raste kur kemi gjetur deri në 2-3 kilogramë ar nëpër xhepa, pra edhe ky hyn në fushën e produkteve shumë lehtë të kontrabandueshme”, shtoi ai.
Sipas të dhënave zyrtare sasia e arit e cila zhdoganohet brenda vitit shkon deri në 300 kilogramë.
Përpos për arin në emision u debatua edhe për kontrabandimin e telefonave.
Murat Mehmeti, u.d shef i Hetimeve në Administratën Tatimore të Kosovës ka treguar skemën interesante të shmangies tatimore nga dyqanet e shitjes së telefonave.
Sipas tij, telefonat që nuk janë doganuar zakonisht mbahen jashtë lokaleve ose fshihen në mënyrë që të mos hasen nga kontrollet e inspektorëve.