Specialja arreston një të dyshuar për pengim të drejtësisë

Nën dyshimet për pengim të drejtësisë, një ish-pjesëtar i UÇK-së është arrestuar me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Shtëpia e tij, ishte bastisur në muajin maj, ndërsa sipas avokatit të tij, ai është intervistuar një ditë më herët nga specialja, për t’u arrestuar sot, megjithatë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka munguar një konfirmim mbi arrestimin e tij.

Në muajin maj i ishte bastisur shtëpia, të mërkurën ishte intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndërsa këtë të enjte është arrestuar dhe pritet të dërgohet në Hagë.

Kështu i ka ndodhur Sabit Januzit, veteran i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo është konfirmuar nga avokati i tij, Kushtrim Bytyqi.

“I njëjti dje është intervistuar, në zyrën e prokurorit të specializuar në Fushë Kosovë, ftesa i është dërguar të premten e kaluar, dhe është realizuar intervista, pas intervistimit e kanë lëshu në shtëpi, ndërkaq sot ka ndodhur arrestimi“, ka thënë ai.

Bytyqi, tregon edhe për bastisjen që ishte bërë në shtëpinë e klientit të tij, por edhe veprat për të cilat dyshohet.

“Paraprakisht diku në muajin maj, i njëjti është bastisur në shtëpinë e tij, dhe i është sekuestruar telefoni. I njëjti dyshohet për pengim, të drejtësisë, për njërën nga çështjet që është e hapur në dhomat e specializuara”, ka vijuar ai.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë shkurt për Dukagjinin se nuk mund të japin informacione lidhur me hetimet.

Por familjarë të Januzajt duke mos dashur të prononcohen kanë konfirmuar arrestimin, dhe kanë thënë se krejt çka dinë, është se i arrestuari do të mbërrijë në Hagë të enjten mbrëma.

Enver Hajdari nga Organizata e Veteranëve të Luftës në Drenas, ka thënë se ky arrestim nuk është më befasi për ta, dhe sipas tyre Gjykata veç po e shpërfaq racizmin dhe padrejtësinë e saj.

“Të japin me kuptu se janë të dirigjum prej Serbisë, duhet me qenë transparent, duhet me qenë të sinqertë, le t`i bëjnë seancat hapur të dihet kush çka flet. Arrestimi i sotëm, t’jep me kuptu se asnjë veteran i UÇK-së nuk është i paprekshëm veç presim dikë sot, dikë nesër, dikë pasnesër. Arrestimi i Sabit Januzit, ai nuk ka ditë asgjë, janë shfaqë hetuesit e Dhomave të Specializuara, një deklaratë për pengim në drejtësi, na nuk jemi që i pengojmë, kushdo që ka marrë ftesë është paraqit”, ka thënë ai.

Në korrik të këtij viti, në Tiranë ishte arrestuar Dritan Goxhaj, ish-pjesëtar i UÇK-së, nën dyshimet për veprat e njëjta./RTV Dukagjini