Sot lirohen 4 pacientë të shëruar nga COVID-19 në Klinikën Infektive

Katër pacientë të shëruar nga CoVid-19 pritet që sot të lirohen nga Klinika Infektive e QKUK-së.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka njoftuar se sot pritet të lirohen nga Klinika Infektive katër pacientë të shëruar nga COVID-19.

Hoti po ashtu ka njoftuar për gjendjen e përgjithshme të pacientëve të prekur nga COVID-19 që janë të shtrirë në këtë klinikë.

“Në Klinikën Infektive, QKUK, janë të hospitalizuar gjithsej 62 pacientë. Prej tyre të sëmurë me Covid 19 janë gjithsej 58 pacientë. 46 raste janë në gjendje stabile, 11 raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Në mjekimin intensiv vazhdon të jetë në gjendje kritike një pacient, i cili është në ventilim mekanik dhe përkujdesje intensive”, ka shkruar ai në facebook.

Po ashtu Hoti ka njoftuar se sa i përket stafit të Klinikës Infektive, nuk ka raste të reja të infeksionit brenda-spitalor.

Aktualisht në Kosovë janë 604 raste të prekur më COVID-19, ndërsa janë shëruar 128 persona deri më tani.