Skënderaj e Rahoveci i kërkojnë Ministrisë kompensim për dëmet bujqësore nga shiu e breshëri

Skënderaj dhe Rahoveci, nuk mund të mbulojnë dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore të shkaktuara nga moti i ligë, breshëri dhe shiu i rrëmbyeshëm që përfshiu në masë të madhe këto dy komuna. Drejtoritë për Bujësi, të të dy komunave, kanë thënë se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm t’jua kompensojnë dëmet fermerëve të cilët janë dëmtuar, prandaj i janë drejtuar Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që t’i ndihmojnë për sanimin e gjendjes.

Rahoveci e Skenderaj janë në mesin e komunave më të prekura edhe nga vërshimet, si rrjedhojë e reshjeve intensive.

Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Skënderajt Sokol Sallahu, ka thënë për KALLXO.com se komuna ka themeluar Komision për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë e ndryshme natyrore, dhe nga të gjeturat në terren, del se dëmet janë më të mëdha se mundësia që ka komuna për t’i ndihmuar fermerët dhe ekonomitë e prekura familjare.

‘’Si të gjitha komunat në Republikën e Kosovës, edhe komuna e Skënderajt nuk ka buxhet për të mbështetur fermerët të cilët kanë pësuar dëme nga fatkeqësitë e ndryshme natyrore”, theksoi ai.

Bazuar në të dhënat që posedon Komisioni i ngritur nga kjo komunë, sipas drejtorit, deri më tani janë rreth 150 fermerë që ka bërë kërkesë për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

“Komisioni është në proces të vlerësimit dhe për shkak se ka shumë kërkesa dhe vlerësimi në terren kërkon kohë dhe profesionalizëm, ende nuk kemi mundur të përfundojmë vlerësimit. Pasi të këtë përfunduar vlerësimi në terren, Komisioni do të përgatisë raportin dhe do ta përcjellë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural’’, shtoi Sallahu.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Rahovecit, të cilët janë treguar më efikas në evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga moti i ligë.

Nga Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural – Rahovec, thonë të kenë përfunduar vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore nga breshëri për të gjithë fermerët të cilët kanë paraqitur kërkesë për vlerësim të tyre.

“Me vendim nga kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, janë formuar Komisionet me përbërje nga 3 anëtar për të inspektuar dëmet e shkaktuara nga breshëri. Komisioni i fundit për demet nga breshri i datës 11 qershor në përbërje kishte të angazhuar edhe një anëtar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (departamenti i vreshtarisë)”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të komunës së Rahovecit.

Edhe komunarët rahovecas thonë se nuk kanë fonde të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për fermerët e dëmtuar.

“Kjo për faktin se në komunën tonë, kemi mbi 3,000 fermer aktiv dhe çdo vit kemi një numër të konsiderueshëm të fermerëve që dëmtohen dhe kostot janë shume të larta”, ka thënë për KALLXO.com Berat Duraku drejtor i Drejtorisë për Bujqësi në Rahovec.

“Në periudhën janar – qershor kanë aplikuar për vlerësimin e dëmeve në DBPZHR, gjithsej 310 fermerë. Vlera e demit te llogaritur është mbi 400,000 euro dhe se deri më tani për periudhën janar-qershor, kemi dërguar dy raporte në MBPZHR. I pari është për demet gjatë muajit janar (vërshimet) ndërsa raporti i dytë është dorëzuar në javën e kaluar për dëmet nga breshri gjatë muajit qershor”, shtoi Duraku.

Ai ka thënë se Komuna e Rahovecit pothuajse çdo vit atakohet nga fatkeqësitë natyrore që dëmtojnë bujqit në masë të konsiderueshme.

“Ne kemi bërë presion të vazhdueshëm në nivelin qendror që fermerët e dëmtuar të kompozohen dhe kemi arritur që në vitin 2018 të konstatojmë se vlera e dëmeve e përllogaritur ka qenë rreth 5,750,000 euro. Qeveria e Kosovës na ka ndarë buxhet prej 1 milion duke mbuluar rreth 17% të vlerës së dëmit për secilin fermer. Po ashtu në vitin 2019 përsëri nga Qeveria e Kosovës janë kompensuar fermerët në vlere 660,000 € apo rreth 25%, ndërsa tani jemi në pritje që të ndahet fond edhe për dëmet e vitit 2021, periudha janar-qershor, e po ashtu do të dorëzojmë edhe raportin e fundit të datës 18 korrik ku nga breshri është përfshirë një zonë e caktuar me rreth 100 hektarë perime”, tha ai.

Kurse Leonora Arifi, shefe e Divizionit për Informim në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimin Rural ka thënë për KALLXO.com se janë në pritje të raporteve vlerësuese nga drejtoritë komunale, për dëmet që janë bërë në terren nga fatkeqësitë natyrore.

“Ne në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural jemi në pritje të raporteve nga drejtoritë komunale për bujqësi nga komunat përkatëse të cilat pësuan dëme në sektorin e bujqësisë nga reshjet e shiut të ditëve të fundit, të cilat ishin të përcjella në disa vende edhe nga breshëri”, thuhet në përgjigjen e saj.

Sipas Arifit, pasi të bëhet pranimi i raporteve nga drejtoritë komunale të bujqësisë nga komunat përkatëse, Komisioni i veçantë për vlerësimin e dëmeve të cilin e ka formuar MBPZhR-ja, do të vlerësojë dhe evidentoj vlerën e dëmeve të përgjithshme, si dhe do të përgatis një raport përmbledhës në nivel vendi të cilin më pastaj e përcjellë në Qeveri për aprovim dhe procedim të mëtejmë.

Kallxo.com në vazhdimësi ka raportuar edhe për dëmet e shkaktuara nga moti i ligë nëpër komunat e Kosovës.

Bujqit e Dëmtuar Nuk i Kompenson Askush

Komuna i Kërkon Ministrisë Kompensim të Dëmeve nga Breshëri