Foto: Kallxo.com

Bujqit e Dëmtuar Nuk i Kompenson Askush

Siç tregoi hulumtimi i “Jeta në Kosovë”, vetëm gjatë këtij viti dëmet që kanë pësuar bujqit në kulturat e tyre bujqësore kalojnë shifrën prej 15 milionë euro.

Por, sipas të gjeturave në terren, as niveli lokal e as ai qendror, Ministria e Bujqësisë nuk u kanë dalë në ndihmë bujqve që kanë pësuar dëme.

Arsyetimi i zyrtareve të MBZHR-së është se nuk ka buxhet për kompensimin e dëmeve milionëshe.

Siç dëshmoi hulumtimi në terren, krahasuar me ministri tjera, për shembull si ajo e Infrastrukturës, ku shkojnë qindra miliona të buxhetit shtetëror, edhe këtë vit (2017) planifikimi total për Ministrinë e Bujqësisë është rreth 48 milionë euro; 25 milionë euro për subvencionet dhe 23 për grantet.

Eqrem Hoxha, vreshtar nga Rahoveci, është njëri nga dhjetëra vreshtarët e bujqit tjerë të Rahovecit që kanë pësuar dëme nga breshëri që ra muajin e kaluar në një zonë prej së paku 330 hektarësh në Rahovec.

Ai thotë se hardhitë i ishin dëmtuar fillimisht nga temperaturat ekstreme që mbretëruan dimrin e fundit, poashtu u dëmtuan nga temperaturat e ulëta në pranverën e sivjetme e së fundmi edhe nga breshëri.

“Unë jam dëmtuar këtu ku jemi kam 1 hektarë e 40 ari vresht dhe breshëri e ka dëmtuar prodhimin, vetëm 20 për qind ka shpëtuar. Kurrfarë ndihme deri më tani nga askush  s`kemi marrë”, ka treguar fermeri nga Rahoveci Eqrem Hoxha.

Edhe bujkut tjetër Hasan Haxhi-Imeri, poashtu i është dëmtuar vreshta nga breshëri. Ai thotë se dëme ka pësuar edhe në kulturat tjera bujqësore, por deri më tash askush nuk u ka ofruar kurrfarë ndihmë konkrete. Ai tregon se komisionet komunale edhe këtë vit, sikurse viteve të kaluara, dalin në terren me vonesë për t`i vlerësuar dëmet e shkaktuar si në rastin e breshërit.

“Ne kemi pesë hektarë me vreshta, në zonën ku ka ra breshër kam të mbjellë një hektarë dhe këtu nuk ka dëmtuar pothuajse 100% prodhimin dhe askush deri më tani nuk na ka ofruar kurrfarë ndihme. Komuna as që kanë dalë hala me pa, dhe tash hardhia është rrit nuk e di si munden me vlerësuar dëmin”, ka thënë ai.

E Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Feim Fetoshi, tregon se dëmet që i kanë pësuar bujqit e Rahovecit kapin shifra milionëshe dhe vetëm nga breshëri i fundit dëmet sipas tij janë mbi 1 milion e 160 mijë euro. Mundësitë buxhetore për t`u dalë në ndihmë bujqve që kanë pësuar nga fatkeqësitë natyrore, sipas tij, nuk ekzistojnë.

“Dëmet kanë patur nga temperaturat ekstreme që kishim dimrin e klauar, pastaj temperaturat në pranverën e vonshme kanë shkaktuar dëme të mëdha në vreshta, dhe perimekulturë. Dhe së fundmi kemi patur dëme edhe nga breshëri 1 milion e 160 mijë euro. Ne si komunë kemi krijuar komisionin për vlerësimin e dëmeve dhe kemi dorëzuar në ministri raportin e detajuar”, ka thënë Fetoshi.

Dëme, siç transmetoi emisioni “Jeta në Kosovë”, kanë pësuar edhe bujqit në rajonin e Malishevës.

Vehbi Hoti nga Caralluka e Malishevës nga 40 hektarët me mollë që, sipas tij, janë në vitin e katërt, ai nuk do marrë as për së afërmi sasinë e prodhimit që kishte marrë ne vitin e kaluar.

Një vit më parë ai kishte vjelë mbi 600 tonë mollë, por sivjet nuk shpreson se do t’i vjelë as 70 mijë kilogramë. Temperaturat e ulëta që mbretëruan në muajin prill ia kanë dëmtuar mbi 90 për qind të prodhimit të mollës.

“Vitin e kaluar kam vlejë 600 mijë kilogramë mollë, këtë vit pasi i ka prishë i ftohti nuk pritet as 70 tonë me i vjelë”, ka thënë bujku nga Malisheva Vehbi Hoti.

Murat Hoxha, drejtor i bujqësisë në Komunën e Malishevës, thotë se demet në këtë komunë janë mbi 400 mijë euro, kurse sipas tij i tërë buxheti komuna për bujqësi është 400 mijë euro.

“Ne si komunë nuk kemi mundësi me ju dhënë kurrfarë ndihme bujqve që janë dëmtuar nga ngricat në këtë pranverë. Buxheti ynë është vetëm 400 mijë euro, kurse dëmet që i kanë pësuar bujqit mund të arrijnë deri në 600 mijë euro”, ka thënë drejtori Hoxha.

Isuf Cikaqi nga Ministria e Bujqësisë, tregon e mundësitë buxhetore që ka Ministria e Bujqësisë  për t`i mbuluar dëmet nga fatkeqësitë natyrore janë të limituara. Ai tregon se janë vetëm 500 mijë euro që këtë vit janë ndarë për kompensimin e dëmeve.

“Këto dy vitet e fundit ne për herë të parë kemi fillu me një buxhet prej 500 mijë eurove i cili është ndarë me linjë të veçantë për kompensimin e dëmeve ën bujqësi. E dijmë se kjo nuk mjafton as për së afërmi karshi dëmeve deh nevojave që kanë fermerët, mirëpo më mirë pak se fare të mos ketë. Synojmë që nga viti i ardhshëm të fillojmë me pilot projekt për sigurimin e  kulturave bujqësore, ashtu siç veprojnë shumica e vendeve tjera”, ka thënë Cikaqi.

Reportazhin për dëmet në bujqësi mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: