Skënderaj, anëtari i Komisionit u caktua edhe menaxher i kontratës

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2020 ka gjetur dobësi në menaxhimin e aktiviteteve të prokurimit dhe kontratave në Komunën e Skënderajt.

Sipas auditorit, në dy procese të zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit dhe kontratave, kanë identifikuar mangësi me mosndarjen e drejtë të detyrave.

Njëri rast, sipas auditorit, është tek aktiviteti i prokurimit “Servisimi i automjeteve zyrtare të Komunës së Skenderajt”, në vlerë indikative 50,000€, njëri nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të tenderëve ishte caktuar po ashtu edhe si menaxher i kontratës.

Kurse në tjetrin rast, është hasur se te aktiviteti i prokurimit “Furnizim me material shpenzues, barna dhe pajisje tjera për nevojat e QKMF-së dhe SHPMPF-së në komunën e Skënderajt”, në vlerë 103,184€ personi i cili ka përgatitur paramasën, ishte caktuar edhe anëtar i Komisionit për Vlerësimin e Tenderëve.

Auditori ka vlerësuar se kjo ka ndodhur si rezultat i mungesës së kujdesit të duhur në procesin e ndarjes së drejtë të detyrave përgjatë zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit.

Mirëpo, kjo sipas auditorit ndikon pasi caktimi i personave të njëjtë në disa procese në menaxhimin e aktiviteteve të prokurimit dhe kontratave, mund të konsiderohet si konflikt interesi dhe reflekton negativisht në ndarjen e drejtë të detyrave, si dhe të ndikoj edhe në mbarëvajtjen e procesit.

“Kryetari të sigurojë ndarjen e drejtë të detyrave në procesin e menaxhimit të aktiviteteve të prokurimit dhe kontratave konform respektimit të kritereve ligjore dhe rregullative të prokurimit publik”, thuhet në raport.