Foto: Kuvendi i Kosovës

Situata në veri, Konjufca takon ambasadorin japonez në Kosovë, Ryuta Mizuuchi

Zhvillimet aktuale dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi kanë qenë temat e diskutimit në takimin që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pasur me ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi.

Siç bëhet e ditur në komunikatë, Konjufca në këtë takim ka folur edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, duke shfaqur interesimin për ta thelluar edhe më tej atë, në dobi të interesave reciproke dhe të miqësisë midis dy vendeve.

“Kryetari Konjufca konfirmoi mbështetjen e institucioneve vendore sa i përket angazhimeve për rritje edhe më të madhe të investimeve japoneze në Republikën e Kosovës dhe avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik”- thuhet në komunikatë.

Po ashtu, sipas komunikatës, kryetari Konjufca ka falënderuar diplomatin japonez për mbështetjen që Japonia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në shumë fusha.

Konjufca ka potencuar rëndësinë që kjo përkrahje të vazhdojë, përfshirë aspiratat për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Sipas komunikatës, ambasadori Ryuta Mizuuchi është interesuar për zhvillimet aktuale në vendin tonë, ndërsa ka konfirmuar vazhdimin e mbështetjes së Japonisë për Kosovën edhe në të ardhmen. ​

Mëngjesin e 24 shtatorit 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth. Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan.

Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.