Sindikata e Policisë me telegram ngushëllimi për vdekjen e major Fejzullahut

Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Milaim Fejzullahu.

“Me rastin e vdekjes së pjesëtarit të policisë Milaim Fejzullahu, familjes, miqve dhe kolegëve të Policisë së Kosovës, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta”- thuhet në njoftim.

Major Fejzullahu është varrosur dje.

Fejzullahu ka shërbyer si Major tash e disa vite në Policinë e Kosovës, ai ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.

Ai fillimisht punën e tij e nisi në Podujevë si polic ku shërbeu për interesat e popullsisë shqiptare deri në largimin e dhunshëm në vitin 1990.

Më pas, ai iu bashkua edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e pas luftës Fejzullahu nisi shërbimin në Policinë e Kosovës, duke mbajtur disa pozita.

Grada e tij e fundit ishte Major, e për një kohë mbante edhe pozitën e Komandantit të Njësitit të Trafikut Rajonal të Prishtinës.