Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Letra e dorëheqjes e policit të Kosovës

“Unë zyrtari policor përmes këtij raporti ju njoftoj se kam paraqitur kërkesën për dorëheqje nga puna të cilën e ushtroj tani si zyrtar policor në ekipin reagues”.

Kështu nis raporti i policit të Kosovës që u shkrua më 12 janar 2024, pasi e kishte përfunduar ndërrimin e mëngjesit.

Në këtë letër u dhanë edhe arsyet të cilat e shtynë policin të merrte një vendim të tillë.

Në mesin e këtyre arsyeve janë edhe disa prej të cilave tash e disa kohë janë kërkesa të zyrtarëve policorë, siç është sigurimi shëndetësor dhe jetësor, pajisja me uniforma e çështja e pagës.

“Arsyet për këtë dorëheqje janë të shumta, e disa nga to janë paga jo e dinjitetshme, shtesat policore (rrezikshmëria) e vlerësuar në mënyrë jo korrekte, sigurimi shëndetësor dhe jetësor, udhëtimi 100 km vajtje-ardhje në vendin e punës, mos pajisja me uniformë, procesi i avancimit e shumë arsye të tjera të ngjashme me këto” – shkroi polici.

Kjo letër u lexua edhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione nga kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.

Aty sot u diskutua lidhur me peticionin që u nënshkrua nga afër 6 mijë policë, të cilët kërkojnë kushte më të mira puna.

Zeqiri tha se vetëm në muajin janar janë rreth 10 policë që kanë dhënë dorëheqje.

Ai në Komision prezantoi prapë kërkesat e zyrtarëve policorë.

Zeqiri: Vetëm në janar janë afër 10 dorëheqje të policëve

www.kallxo.com