Zyrtari i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut Foto: Naser Fejza/ KALLXO.com

Sindikata e Policisë së Kosovës ndanë nga 500 euro për zyrtarët policor që u plagosën e u lënduan në veri

Sindikata e Policisë së Kosovës ka vendosur t’i ndajë nga 500 euro për zyrtarët policorë të cilët janë plagosur dhe lënduar në veri të Kosovës dhe për ata që janë duke u trajtuar me sëmundje të rënda.

Ky vendim është marrë pas një mbledhjeje të mbajtur më 06.03.2024 nga Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë, të cilët kanë shqyrtuar listat e propozuara nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore dhe nga Shoqatat Sindikale për zyrtarët policorë të caktuar.

Sipas një njoftimi të datës 08.03.2024 nga kjo Sindikatë, ky vendim vlen për anëtarët e kësaj sindikate, ndërsa ata që nuk janë anëtarë kanë njoftuar se si duhet të veprojnë.

“Lidhur me këtë çështje Këshilli Drejtues, me shumicë të votave, ka marr vendim që nga listat e përpiluara të ndahen për secilin nga pesëqind (500) euro, për të gjithë ata që janë anëtarë të sindikatës, kurse ata që nuk janë anëtar të kontaktohen dhe t’ju mundësohet pranimi i kësaj ndihme në momentin që e bëjnë deklarimin e anëtarësimit në sindikatë” – thuhet në njoftimin e SPK-së.

Gjithashtu, ata kanë bërë të ditur se mjetet financiare do të ndahen nga donacioni i dhuruar nga fondi humanitar ‘Golden Eagle’ dhe nga fondi i anëtarësisë së SPK-së.

Me këtë rast, SPK ka falenderuar fondacionin ‘Golden Eagle’ për fondin humanitar të dhuruar.

Sa i përket plagosjes dhe lëndimit të zyrtarëve policor në veri të Kosovës, një polic u plagos e një tjetër u lëndua në mëngjesin e hershëm të datës 24.09.2023 në sulmin terrorist që u krye në Banjskë të Zveçanit.

Ndërsa, Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra. 

Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Tre pjesëtarë të grupit terrorist kanë mbetur po ashtu të vrarë.

Përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd dhe ishte ndaluar për 48 orë.

Më 06.12.2023, INTERPOOL kishte lëshuar fletëarrestim për Radoiçiq.

Përveç, Millan Radoiçiqit, lista e personave të cilët kanë një fletarrest nga INTERPOOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.